Sekretari amerikan i Shtetit realizon vizitë të papritur në Irak
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka vizituar Irakun më 9 janar, në një vizitë të papritur, me ç’rast është takuar me trupat amerikane dhe liderët irakianë, duke diskutuar me po ata planin e tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara nga Siria.
Pompeo po ashtu ka paralajmëruar gjatë vizitës së tij se Irani vazhdon të jetë kërcënim për sigurinë në Lindje të Mesme.
Vizita e tij ka ndodhur në ditën e dytë të turneut të tij në nëntë shtete arabe, duke përfshirë, Jordaninë, Egjiptin, Bahreinin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Omanin, raporton “Rel”.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar më 19 dhjetor të vitit të kaluar fitore kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Siri dhe ka bërë njoftimin e papritur për tërheqje të plotë të trupave prej vendit të shkatërruar nga lufta.
Në këtë vend forcat amerikane kanë mbështetur sirianët arabë dhe ata kurdë në luftën kundër IS-it nga viti 2015.
Siria ndërkohë është përballur me luftë shtatëvjeçare. Rusia dhe Irani kanë përkrahur presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur palë të ndryshme kundër qeverisë.