Sekretari Blinken uron Ditën e Shtetësisë së BeH-së: Vazhdojmë të mbajmë përgjegjës ata që kërcënojnë sovranitetin tuaj
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u ka dërguar një mesazh urimi qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës me rastin e ditës së shtetësisë së këtij vendi.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i uroj qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës për festën e Ditës së Shtetësisë”, thuhet fillimisht në letrën e Blinken-it.
Kryediplomati amerikan ka nënvizuar se shteti që ai përfaqëson ka qenë partner i Bosnje e Hercegovinë për tri dekada dhe se mbeten të vendosur e të përkushtuar për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit multietnik të BeH-së.
Ky mesazh mbështetës ndaj sovranitetit të BeH-së vjen në një kohë kur Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, po kërcënon vazhdimisht për shkëputjen e këtij entiteti nga BeH.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet e Bosnje e Hercegovinës për të çuar përpara reformat që janë të nevojshme për të siguruar vendin e merituar të vendit tuaj në komunitetin euroatlantik të kombeve dhe do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës ata individë dhe institucione që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Bosnje e Hercegovinës”, ka theksuar Blinken në letrën e tij.
Tutje, ai ka shtuar se ShBA-të mbeten mike dhe partnere për të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, pa dallim.
“Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të ndihmuar qytetarët e vendit të ndërtojnë një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë për veten, fëmijët e tyre dhe brezat e ardhshëm, përfundoi Sekretari Amerikan i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Departamenti Amerika i Thesarit, e ka sanksionuar presidentin autoritar të Republikës Srpska, Dodik, për shkak të veprimeve destabilizuese në BeH, të cilat janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës së BeH, më 1995), si dhe ndaj rendit kushtetues të këtij vendi ballkanik.