Sekretari britanik: Kemi vaksina për gjithë popullatën
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se vaksina kundër koronavirusit, e zhvilluar nga shkencëtarët e Oxfordit, do të jepet për herë të parë më 4 janar.
Rregullatorët mjekësorë britanikë e miratuan të mërkurën përdorimin e saj, duke konfirmuar se është e sigurt dhe efektive.
Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza nga prodhuesi AstraZeneca.
Hancock tha se 100 milionë dozat e vaksinës së Oxfordit, së bashku me 30 milionë dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech janë të mjaftueshme “për të vaksinuar gjithë popullatën”, përveç fëmijëve, me nga dy doza.
Grupet me përparësi në vaksinim tash për tash janë banorët e shtëpive të kujdesit, personat mbi 80 vjeç dhe punonjësit e linjës së parë në shëndetësi.
Vaksina Oxford/AstraZeneca është krijuar në muajt e parë të këtij viti, është testuar te vullnetari i parë në muajin prill dhe që atëherë ka kaluar nëpër prova klinike në shkallë të gjerë, që kanë përfshirë mijëra njerëz.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, e cilësoi zhvillimin e vaksinaës së Oxfordit si “triumf” për shkencën britanike.
“Do të vaksinojmë sa më shumë njerëz, sa më shpejt që është e mundur”, tha Johnson.
Qysh më 8 dhjetor, mbi 600,000 njerëz janë vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar me vaksinën e kompanisë amerikane, Pfizer, dhe asaj gjermane, BioNTech.