Sekretari britanik për Brexit, David David jep dorëheqje
Sekretari britanik për Brexit, David Davis, ka dhënë dorëheqje nga Qeveria britanike.
Largimi i tij vjen disa ditë pasi kryeministrja e këtij vendi, Theresa May ka siguruar mbështetjen e kabinetit qeveritar për planin rreth Brexitit, pavarësisht pretendimeve nga kritikët e saj se i njëjti ishte i “butë”.
Davis ishte emëruar në këtë pozitë më 2016 dhe ka qenë përgjegjës për zhvillimin e negociatave rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Davis i ka thënë kryeministres May, se “trendi aktual i politikës” është duke bërë “çdo herë e më pak të dukshme” idenë se Britania do të largohet nga bashkimi doganor dhe tregu i vetëm.
Ai ka thënë se nuk beson që qasja negociuese e qeverisë “nuk do të krijojë mundësinë e nisjes së kërkesave të reja për koncesione” nga Brukseli.
“Drejtimi i përgjithshëm i politikave do të na dërgojë neve në një pozicion të pafuqishëm dhe ka mundësi që mund të jetë edhe i pashmangshëm”, është shprehur ai.
Në përgjigjen drejtuar Davis, kryeministrja britanike ka thënë se “nuk pajtohet me përshkrimin që ai i ka bërë politikës për të cilën janë pajtuar paraprakisht në Kabinet të premten”.
Ajo ka thënë të ketë ndjerë keqardhje për largimin e Davis, mirëpo e ka falënderuar atë për “gjithçka që ka bërë në formësimin e largimit tonë nga BE-ja”. (Rel)