Sekretari Halimi merr përkrahje nga Banka Botërore për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi bashkë me ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, gjatë vizitës zyrtare në Uashington janë duke marrë pjesë në konferencën e Bankës Botërore mbi tokën dhe varfërinë, në të cilën janë prezantuar hulumtimet dhe inovacionet më të fundit në politikat dhe praktikat e mira të qeverisjes së tokës në të gjithë botën.
Në kuadër të kësaj vizite, sekretari Halimi është takuar me drejtorin e lartë të Bankës Botërore, Juergen Voegele, me të cilin kanë diskutuar për hapat konkretë që mund të ndërmerren në të ardhmen e afërt, me qëllim të zhvillimit më të madh të sektorit të bujqësisë në Kosovë, e për çka Banka Botërore do të ofrojë mbështetjen e saj.
Gjatë këtij takimi, Halimi e ka njoftuar atë për të arriturat dhe sfidat në bujqësi në Kosovë, duke e vlerësuar atë si një nga sektorët që ka ndikuar dhe mund të ndikojë edhe më shumë në punësim dhe zhvillim ekonomik. Po ashtu, ai ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen që po e jep për bujqësinë në Kosovës përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Ndërsa, drejtori Juergen Voegele, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar mbështetjen për sektorin e bujqësisë, duke i vlerësuar të arriturat në këtë sektor.
/Epoka e re/