Sekretari i KOK-ut i bindur se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

05 prill 2023 | 16:23

Kosova e ka dorëzuar interesimin për organizimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare në vitin 2030-të.

Sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, për Klankosova.tv u shpreh i bindur se vendi jonë do të jetë organizator i këtyre lojërave pas shtatë vjetësh.

“Më 8 shtator në Heriaklon të Greqisë do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Kemi bindjen se do ta fitojmë kandidaturën dhe votimi do të jetë me aklamacion”, tha Aliti.

Aliti shpjegoi edhe procedurat që priten deri në aprovimin e kandidaturës.

“Ne e kemi dorëzuar interesimin. Ne duhet të marrim garancinë nga ministria e cila është garantuese kryesore, pastaj komunat sepse organizimi do të shtrihet në tërë Kosovën si edhe transmetuesi publik. Më 30 qershor do ta dorëzojmë zyrtarisht kandidaturën dhe “Librin e Garancive”. Pastaj në Kosovë do të vijnë edhe delegacione nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare”, tha ai.

Sekretari i KOK-ut theksoi se afati prej shtatë vjetësh është afat real për të bërë përgatitjet për organizimin.

“Afati shtatëvjeçar është real. Jemi duke bërë studimin e fizibilitetit ku përfshihet analiza se sa do të kemi nevojë për investime në kapacitete njerëzore, infrastrukturë. Është duke u hartuar Strategjia Shtetërore e Sportit, aty do të paraqitet një pasqyrë reale e sportit në Kosovë”, theksoi Aliti.

Besim Aliti ceku po ashtu edhe ku duhet të investohet.

“Sportit duhet t’i jepet prioritet, të ndahet më shumë buxhet. Kosova e ka një pjesë të infrastrukturës, por duhet që të investohet shtesë në infrastrukturë. Kjo do të përfshinte përmirësime në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, renovimi me patjetër i Pallatit të Rinisë, ose edhe ndërtimi i një stadiumi të Atletikës”.

“Duhet të ndërtohen palestra të reja, edhe dy pishina olimpike. Përmirësimi i infrastrukturës në sportin e gjimnastikës, shenjtëtarisë”, tha Aliti.

Sekretari i Komitetit Olimpik, Besim Aliti, tha se kjo do të hapte një faqe të re për vendin.

“Arritja e këtij suksesi do t’i hapte Kosovës një faqe të re dhe do ta kurorëzone mundin dhe punën tonë ekipore. Kjo do ta afirmonte edhe më tutje sportin tonë”.

“Natyrisht në këtë aspekt ka ndikuar edhe arritja e sukseseve të sportit të xhudos”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AJAZ EMINI – Një jetë kushtuar atdheut - Ditari (XI)…