Sekretari i Komunitetit Shqiptar-Australian në Melbourne kërkon kthimin e Hajdin Abazit në pozitën e ambasadorit
Sekretari i Komunitetit Shqiptar-Australian në Melbourne, Jashar Fazliu, iu ka dërguar letër presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, në lidhje me shkarkimin e Hajdin Abazit nga pozita e ambasadorit në shtetin e Australisë, Zelandës së Re dhe shteteve të Oqeanisë.
“Pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë nga Australia në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ishte masive si kurrë më parë. Rezultatet që pasuan nga to ishte gëzimi më i madh që nga pavarësia e vendit sikurse që janë edhe pritjet e rezultateve të kësaj qeverie që tejkaloi çdo rezultat votash të qeverive të kaluara. Sot në këtë letër shprehim indinjatën tonë të thellë me rastin e lirimit nga detyra të ambasadorit dr. Hajdin Abazi në gjysmë të mandatit të shërbimit tij si diplomat në shtetin e Australisë, Zelandës së Re dhe shteteve të Oqeanisë”, ka shkruar Fazliu, duke theksuar se ambasadori Abazi në Australi jo vetëm që nderoi dhe afirmoi vlerat e popullit, të qeverisë dhe shtetit të Kosovës, por krijoi dhe fuqizoi lidhjet e fortë në mes të komunitetit tonë dhe komuniteteve të kombeve, mike të shqiptarëve që ndodhen në Australi.
“Lajmi për emërimin e z. Abazit diplomat, dy vjet më parë në Canberra, ishte shumë i mirëpritur nga të gjithë ne kur dinim shumë për kontributin e tij kombëtar gjatë një jete të tërë që nga rinia e tij e hershme nëpër burgjet sllave e deri te pjesëmarrja aktive në çlirimin e vendit deri në fitore”, thuhet në letrën e sekretarit të Komunitetit Shqiptar-Australian në Melbourne, Jashar Fazliu.
Letra e plotë, pa ndërhyrje:
Presidentes së Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Albin Kurti,
Ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zonjës Donika Gërvalla,
Pjesëmarrja e bashkatdhetarëve tanë nga Australia në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ishte masive si kurrë me parë. Rezultatet që pasuan nga to, ishte gëzimi më i madh që nga pavarësia e vendit, sikurse që janë edhe pritjet e rezultateve të kësaj qeverie që tejkaloi çdo rezultat votash të qeverive të kaluara.
Sot, në këtë letër shprehim indinjatën tonë të thellë me rastin e lirimit nga detyra e ambasadorit dr. Hajdin Abazi në gjysmë të mandatit të shërbimit tij si diplomat në Shtetin e Australisë, Zelandës së Re dhe shteteve të Oqeanisë.
Lajmi për emërimin e z. Abazit diplomat, dy vite më parë në Canberra ishte shumë i mirëpritur nga të gjithë ne kur dinim shumë për kontributin e tij kombëtarë gjatë një jete të tërë që nga rinia e tij e hershme nëpër burgjet sllave e deri tek pjesëmarrja aktive në çlirimin e vendit deri në fitore. Ambasador Abazin Australia jo vetëm nderoi e afirmoi vlerat e popullit, qeverisë dhe shtetit të Kosovës por krijoi e fuqizoi lidhje të fortë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të kombeve, mike të shqiptarëve që ndodhen në Australi.
Në takimet e tij formale me kryesitë e komuniteteve dhe shoqatave të shumta dhe në bisedat joformale me qytetarët e rëndomtë gjithherë ka prezantuar interesat e shtetit të Kosovës në veçanti dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
Rreth këtij komuniteti si organizata më e vjetër shqiptare në Australi kanë gravituar edhe shumë shoqata dhe asociacione të tjera duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për atdheun sidomos për Kosovën në periudha të ndryshme kohore. Ne kemi pritur e përcjell shumë aktivistë, politikan, intelektual, ish-luftëtar e ambasadorë nga atdheu; por duhet theksuar se Z. Abazi është ambasadori dhe zyrtari me atribut e mirësjellje të veçantë ngatë gjithë. Edhe pse në këto dy vite për shqiptarët e Melbournit mundësia e lëvizjes ishte shpeshherë e kufizuar për shkak të pandemisë, dr. Abazi ka shfrytëzuar çdo rast të mundshëm me qëllim që të përmbush detyrat e tij ndaj bashkatdhetarëve.
Duke vlerësuar rëndësinë e mërgatës tonë; Ai vuri kontakte të rregullta me të gjitha kryesitë e komuniteteve, biznesmenë shqiptarë, shoqatave fetare, shoqatës së grave, shoqatave të pensionistëve, klubeve sportive si dhe grupeve të rinisë nëpër Australi, kontakte të rregullta edhe me politikan shqiptar sikur z. Xhim Mehmetin – kryetar në qytetin e Dandenong etj.
Ai përherë të parë në Australi tregoi një respekt të veçantë dhe organizoi takim me intelektualët dhe profesionalistët tanë të cilët punojnë në departamentet shtetërore, spitalet, institucionet profesionale dhe universitare. Dr. Abazi shtroi idetë e bashkëpunimit të Kosovës me qëllim të sjelljes së investimeve, ndihmës profesionale të biznesmenëve, shkollarëve e profesionalistëve shqiptarë në Kosovë dhe viseve të tjera të atdheut. Është pikërisht kjo punë e palodhshme ajo e cila për herë të parë filloi të ngritë urat e bashkëpunimit në mes të komunitetit tonë me atdheun, kjo që sot është domosdoshmëri jetike për ekonominë e Kosovës dhe regjioneve të tjera shqiptare.
Dr. Abazi, një ish-luftëtar e politikan i regjur, diplomat e intelektual, ka përfaqësuar me dinjitet dhe ka vendosur lidhje të shkëlqyera diplomatike, të Kosovës me Australinë dhe dhjetë e vendet e tjera të Pacifikut Jugor. Këtë janar, edhe pse ishte i detyruar të qëndrojë i mbyllur në karantinë për dy javë, ai nuk hezitoi të shkojë në Zelandë të Re dhe t’i dorëzojë letrat kredenciale për t’i vendosur lidhjet diplomatike për herë të parë me një vend mik të Kosovës. Po ashtu, dr. Hajdin Abazi është në fazën finale të organizimit të Grupit të Miqësisë Australi-Kosovë të cilin ne e konsiderojmë një sukses të rëndësishëm të diplomacisë kosovare në përgjithësi.
Ne shqiptarët të cilët jetojmë në Australi i kemi sytë nga atdheu dhe konsiderojmë se është e drejtë të mos vështrojmë me indiferencë në rastet kur qeveritarët tonë veprojnë në mënyrë selektive dhe kundër interesave të përgjithshme të vendit. Veprime këto që do të dëmtonin reputacionin e vendit tonë në fushën diplomatike.
Shpresojmë në mirëkuptim tuaj në shqetësimin tonë që ambasadorit mos t’i ndërpritet afati ligjor i shërbimit diplomatik që të bëhet e mundur realizimi i shumë projekteve të filluara nga ai në afatin e paraparë dhe ngritja e reputacionit të krijuar në këtë vend shumë të dashur e respektuar për shqiptarë.
Sinqerisht,
Për: Kryesinë e Komunitetit Shqiptar-Australian në Melbourne.
Jashar Fazliu, sekretar