Sekretari i Mbrojtjes: Al-Kaida mund të synojë rikthimin në Afganistan
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, paralajmëroi për një ringjallje të grupit militant Al Kaida në Afganistan pas marrjes nën kontroll të vendit nga ana e talibanëve.
Ai këto komente i bëri për një grup të vogël gazetarësh në qytetin e Kuvajtit në përfundim të një turneu katër-ditor në shtetet e Gjirit Persik.
Pavarësisht kërcënimit, ai tha se amerikanët janë të përgatitur për të parandaluar një rikthim të al-Kaidës në Afganistan që do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara.
“Al Kaida dhe grupi i Shtetit Islamik gjithmonë përpiqen të gjejnë hapësirë për t’u rikthyer, pavarësisht se ku janë, atje apo në Somali ose në ndonjë mjedis të pakontrolluar. Unë mendoj se kjo është natyrën e këtyre grupeve”, tha ai.
Gjatë sundimit të tyre në Afganistan në vitet 1996-2001 talibanët i kishin siguruar strehë grupit Al-Kaida dhe refuzonin ta dorëzonin udhëheqësin e grupit militant, Osama Bin Laden, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001. Gjatë 20 vjetësh të luftës amerikane, al-Kaida u zvogëlua shumë, por janë ngritur shqetësime sa i takon një rikthimi të grupit pasi talibanët sërish sundojnë me vendin.
“Ne iu kemi bërë me dije talibanëve se presim që ata të mos lejojnë këtë”, tha Austin. Në vitin 2020 SHBA-ja arriti marrëveshje me talibanët për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani.
Në bazë të marrëveshjes, talibanët ishin zotuar se nuk do të mbështesin militantët e Al-Kaidës dhe se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret për komplot të sulmeve nga ana e terroristëve./rel/