Sekretari i MIE-së: S’kemi ndërmarrë veprime në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare
Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka mohuar kategorikisht pretendimet e shoqërisë civile se kjo ministri përmes pesë konkurseve publike të hapura po tenton punësime mbi baza partiake dhe po bënë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Po ashtu, shoqëria civile ka kërkuar anulimin e këtyre konkurseve publike për t’iu dhënë mundësi për punësim bursistëve nga “Skema e Profesionistëve të Rinj”, projekt ky i financuar nga Komisionit Evropian dhe Qeveria e Kosovës.
E lidhur me këtë çështje, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian, Kushtrim Cukaj, në një intervistë për “Kosovapress” ka deklaruar se kjo ministri nuk ka bërë asnjë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat mund t’i dëmtojnë të rinjtë e Kosovës.
Madje sipas tij, Ministria e Integrimit Evropian mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.
Më tutje, ai ka hedhur poshtë akuzat e shoqërisë civile për punësime mbi baza partiake duke thënë se MIE-ja nuk ka ndikim mbi punësimet që ndodhin brenda shërbimit civil të Kosovës.
Madje pretendimet e shoqërisë civile karshi hapjes së konkurseve publike në MIE, Cukaj i ka quajtur tendencioze.
Duke folur rreth programit të “Skemës së Profesionistëve të Rinj” që mbështetet nga Komisioni Evropian, Cukaj ka thënë se objektiv i tyre mbetet që brenda vitit 2019 të punësojnë 11 përfitues të bursave “YCS”.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të MIE-së, këtë javë ka nisur intervistimi i katër prej bursistëve nga programi i “Skemës së Profesionistëve të Rinj”, ku brenda një periudhë të shkurt kohore do të ndodh edhe punësimi i tyre.
Ai ka thënë se të gjithë bursistët e “Skemës së Profesionistëve të Rinj” për vitin 2018 janë punësuar.
Disa organizata të shoqërisë civile kanë mbështetur fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kanë kërkuar nga siç janë shprehur ata, ministrja në dorëheqje, Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në këtë ministri, punësimin e bursistëve nga bursa “YCS”, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.
Sipas këtyre organizatave veprimet e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) përkitazi me pesë (5) konkurse publike përbëjnë shkelje të një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe shkelje të akteve sekondare të Qeverisë. Po ashtu këto organizata kanë theksuar se veprimet e MIE-së rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve kosovar, si dhe rrezikojnë pezullimin e asistencës së Bashkimit Evropian (BE) në vlerë prej 45.5 milionë euro.