Sekretari i MKRS-së, Feim Hoxha, merr pjesë në hapjen e ekspozitës “Kosova – më shumë se një rrëfim”
Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Feim Hoxha, ka vizituar ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim”, është një strukturim i zhvendosur nga një ngjarje te tjetra përgjatë historisë më të vonë të Kosovës.
“Ekspozita mund të na ndihmojë të rikujtojmë momente të caktuara të këtij realitetit nëpër artikujt e gazetave të Kosovës, si dhe të librave, që janë brenda shenjëzimit dhe afirmimit historik, kulturor, politik e juridik të Kosovës dhe të të drejtës së saj për liri dhe pavarësi, duke pasuruar diskursin për të vërtetën për Kosovën”, ka thënë Hoxha.
Ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim”, thotë Hoxha me anë të artikujve të gazetave dhe librave, që janë pjesë e Koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të provojë të shpërfaqë luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi si dhe sfidat e sakrificat për ndërtimin e demokracisë në Kosovë.
“Kjo formë e ekspozimit të artikujve të gazetave, është një ftesë për t’i njohur dhe për t’i rikujtuar sakrificat dhe sfidat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.