Sekretari i OKB-së kërkon që situata në Gjirin Persik të mos përshkallëzohet
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se është esenciale të shmanget “çdo formë të përshkallëzimit” në Gjirin Persik, teksa tensionet janë rritur, pas rrëzimit të një droni amerikan nga Irani.
“Bota nuk mund ta përballojë një konfrontim të madh në Gjirin Persik”, ka thënë Guterresi në margjinat e Konferencës botërore të Ministrave për Rininë, që po zhvillon punimet në Lisbonë të Portugalisë.
Të enjten, Irani ka rrëzuar një dron amerikan, një incident për të cilin Uashingtoni thotë se ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, fillimisht kishte miratuar, por më pas ka pezulluar sulmet ajrore ndaj caqeve brenda Iranit, si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të dronit. Më vonë ai ka thënë se këto sulme do të vrisnin të paktën 150 njerëz.
Teherani ka insistuar se droni i rrëzuar ishte në territorin e tij dhe është zotuar se do të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi të SHBA-së.
Komentet e shefit të OKB-së, Antonio Guterres vijnë vetëm një ditë pasi presidenti Trump njoftoi se do të vendosë sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit.
“Është absolutisht esenciale që të shmanget çdo formë e përshkallëzimit”, është shprehur Guterresi.