Sekretari i PDK-së: Kurti është duke provokuar ta rrezojë qeverinë
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke provuar rrëzimin e qeverisë në një periudhë mjaftë delikate për vendin.
Në vend që sot të koncentroheshim në tejkalimin e krizës shëndetësore e socio-ekonomike, e cila e ka përfshirë Kosovën pas pandemisë së coronavirusit, kriza u thellua edhe më tepër. Duke u provokuar rrëzimi i Qeverisë, për shkak të inateve personale, u injoruan tërësisht qytetarët në një periudhë tejet delikate”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”, duke iu referuar shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të MPBAP-së.
Postimi i plotë i Ismailit:
Në vend që sot të koncentroheshim në tejkalimin e krizës shëndetësore e socio-ekonomike, e cila e ka përfshirë Kosovën pas pandemisë së coronavirusit, kriza u thellua edhe më tepër.
Duke u provokuar rrëzimi i Qeverisë, për shkak të inateve personale, u injoruan tërësisht qytetarët në një periudhë tejet delikate.
Kryeministri Kurti vendosi në karantinë qytetarët në Viti, Klinë e Malishevë, por sot i harroi ata dhe të tjerët që janë vetë-izoluar në Prishtinë e gjithandej Kosovës. I harroi, në një kohë kur gjendja në tërë vendin është e rëndë dhe me rrezik.
Në vend se të krijohet uniteti, dhe në vend se të merren vendimet e duhura e urgjente për ta përballuar me sa më pak pasoja këtë situatë kritike me coronavirusin, u provokua përçarja dhe iu kthye shpina të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.
Ikja nga përgjegjësia e kryeministrit Kurti dhe prodhimi i një krize të re në përballjen me pandeminë, është e pandershme, e pafalshme dhe tepër e dëmshme për qytetarët.