Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemaili: Vendi ka nevojë për ne
Bajrush Xhemaili është zgjedhur të enjten sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Me këtë rast, ai ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe Këshillin Drejtues për besimin e dhënë.
Xhemajli ka thënë Kosova ka nevojë për PDK-në. “Vendi ka nevojë për të gjithë ne, dhe përgjegjësitë e marra janë thirrje për të dhënë kontributin tonë, gjithsecili, pa kalkulime dhe me përkushtimin maksimal. Punë e madhe na pret!”, ka shkruar Xhemajli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Xhemailit:
Sot, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, zgjodhëm kryesinë e re, që do të ju prijë proceseve reformatore brenda partisë, me qëllimin e vetëm për të udhëhequr përsëri vendin në këto kohë sfiduese, duke filluar nga zgjedhjet lokale të këtij fundviti.
Anëtarët e ri të kryesisë, dhe atyre që po i bashkohen PDK-së për herë të parë, ju uroj suksese! Për të udhëhequr PDK-në duhet guxim dhe vetmohim!
E falënderoj kryetarin Memli Krasniqi për propozimin e bërë dhe Këshillin Drejtues, për besimin e dhënë, të cilët më ngarkuan me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të partisë.
Do të jap gjithçka nga vetja që të shtyjë përpara kauzën e përbashkët, për rindërtim të partisë, dhe do të jam këmbëngulës në avancimin e kuadrove të reja brenda partisë dhe këmbëngulës në idenë që PDK të jetë e hapur për njerëz të ri, pasi këto janë mënyra për të ecur para.
Vendi ka nevojë për të gjithë ne, dhe përgjegjësitë e marra janë thirrje për të dhënë kontributin tonë, gjithsecili, pa kalkulime dhe me përkushtimin maksimal. Punë e madhe na pret! Suksese!