Sekretari James Mattis të dielën do ta vizitoj Maqedoninë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do ta vizitoj të dielën Maqedoninë për të treguar mbështetjen e SHBA-së ndaj Maqedonisë lidhur me integrimin e saj në NATO dhe zotimin e vazhdueshëm amerikan për paqe dhe siguri në rajon. Sipas një njoftimi të lëshuar nga Pentagoni, Sekretari Mattis do të ketë takim me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, me të cilin do të flasin pastaj për mjetet e informimit.
Sekretari Mattis i ka thënë agjencisë së lajmeve “Reuters”, se ishte i shqetësuar për shkak të përfshirjes së mundshme ruse në çështjen e referendumit të pritshëm në Maqedoni. “Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë në Maqedoni dhe në mënyrë të qartë do të bëj me dije se SHBA-ja e përkrah popullin e Maqedonisë”, është shprehur Mattis.
Ai ka shtuar më tej se Rusia edhe më parë është përfshirë në raste të tilla, që nga Estonia e deri tek Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina e deri në Maqedoni.
Vizita e Mattis do të bëhet pas asaj të një tjetër zyrtari të lartë amerikan në Shkup, Wess Mitchel-it, Ndihmës-Sekretar i Shtetit, i cili të enjten do ta vizitoj Maqedoninë për të shprehur mbështetjen amerikane për referendumin e 30 shtatorit, ku duhet të vendoset për emrin e ri të Maqedonisë.
Referendumi shikohet si historik. Një rezultat pozitiv do t’ia hapte rrugën vendit ballkanik për t’u bërë anëtari i tridhjetë i Aleancës Veriatlantike, NATO-s dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, një numër zyrtarësh të lartë perëndimorë kanë vizituar kryeqytetin e Maqedonisë, për të dhënë mbështetje dhe për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë është mundësia e vetme që ky vend të bëhet pjesë e familjes së madhe euro-atlantike.
Kancelarja gjermane Angela Merkel të shtunën ishte në Shkup. Një ditë para saj ishte Kancelari austriak, Sebastian Kurz. Po ashtu, të njëjtën gjë kanë bërë edhe një numër ministrash të jashtëm të vendeve të BE-së.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndruar në Shkup të mërkurën, prej nga u bëri thirrje qytetarëve të këtij vendi që të dalin dhe të votojnë pro referendumit të 30 shtatorit./voa/