Sekretari i OKB-së kërkon çarmatosjen e Hezbollahut
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i ka bërë thirrje Hezbollahut, aleat i afërt i Iranit, të ndërpresë aktivitetet ushtarake në Liban, Siri dhe në rajon.
“Një Hezbollah me aftësi të konsiderueshme dhe të sofistikuara ushtarake, jashtë kontrollit të Qeverisë së Libanit, mbetet çështje shqetësuese”, ka thënë Guterres në një raport të dërguar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, raportojnë agjencitë “AFP” dhe “AP”.
Këshilli i Sigurimit do të diskutojë sot raportin e Guterresit.
Shefi i OKB-së i ka bërë thirrje lëvizjes shiite “të mos angazhohet në ndonjë aktivitet ushtarak brenda ose jashtë Libanit”, në përputhje me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i bën thirrje Hezbollahut të çarmatoset.
Guterresi po ashtu ka thënë se përfshirja e Hezbollahut në luftën civile të Sirisë shkel Marrëveshjet e Taifit që i dhanë fund luftës civile të Libanit të viteve 1975-90, si dhe politikën zyrtare të Libanit për neutralitet ndaj çështjeve rajonale.
I shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Hezbollahu ka luftuar për vite me radhë në Siri në anën e forcave qeveritare dhe në Irak së bashku me grupet paraushtarake.