Sekretarja Çerkini: Sigurimet bujqësore e rritën qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e sektorit
Sistemi i sigurimeve bujqësore në Kosovë ka arritur të krijojë mundësi për menaxhimin e rreziqeve të ndryshme në këtë prodhimtari, duke ndikuar kështu në rritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e sektorit bujqësor në Kosovë. Kështu është shprehur Zv/Sekretarja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Venera Çerkini, në ceremoninë përmbyllëse të projektit të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është pjesë e Bankës Botërore dhe MBPZhR-së ”Financimi i Bujqësisë dhe Sigurimeve Bujqësore në Kosovë”.
Me këtë rast, ajo ka falënderuar IFC-në dhe gjithë akterët tjerë të përfshirë në këtë projekt për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre në këtë rrugë të vështirë drejt një bujqësie më të qëndrueshme dhe të zhvilluar në Kosovë.
“Ministria jonë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nisur disa projekte dhe përpjekje për të adresuar sfidat dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor. Një nga aspektet kyçe është sigurimi bujqësor, dhe jemi krenarë që kemi arritur të zhvillojmë një sistem të tillë në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) përmes projektit ECA Agri-Finance. Ky sistem i sigurimeve bujqësore ka ndihmuar fermerët tanë të parashikojnë dhe planifikojnë më mirë buxhetin e tyre, duke u mundësuar ata që të përballen me rreziqe të ndryshme nga faktorët klimatikë. Përmes këtij programi, kemi subvencionuar 75% të shumës së pranuar për sigurim, duke e bërë atë më të arritshme për fermerët tanë”, tha Çerkini.
Ndërkaq, krahas kësaj ajo ka treguar edhe për hapat tjerë që kanë ndërmarrë për të fuqizuar edhe më tej sektorin, duke theksuar këtu edhe Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i sapo miratuar në Kuvend, që sipas saj paraqet një hap të rëndësishëm drejt rregullimit të menaxhimit të rreziqeve në bujqësi.
“Ministria jonë po punon ngushtë për të hartuar udhëzime administrative që do të rregullojnë procesin e sigurimeve të bujqësisë, duke siguruar një mjedis më të përshtatshëm për fermerët”, tha Zv/Sekretarja Cerkini.
Ndryshe, përmes projektit për sigurime bujqësore rreth 3 mijë kredi në vlerë 25 milionë euro u janë distribuar fermerëve kosovarë përgjatë tri viteve të fundit, si dhe rreth 1 milionë euro kredi janë mbështetur me sigurime bujqësore.