Sektori bankar në Kosovë po shënon rritje dhe zhvillim
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka bërë me dije se sektori bankar në Kosovë është duke shënuar rritje dhe zhvillim.
Në takimin me Grupin Punues të Komisionit për Buxhet dhe Financa rreth mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit nr. 04/L-093 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare në Kosovë, Mehmeti ka thënë se korniza ligjore aktuale plotëson nevojat për operim dhe mbikëqyrje të bankave dhe institucioneve financiare.
Ai ka theksuar se legjislacioni i BE-së është një proces dinamik i cili në vazhdimësi përcillet me ndryshim/plotësime. “BQK-ja me qëllim të plotësim/ndryshimit të Ligjit për Banka, IMF dhe IFJB ka themeluar grupin punues, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e legjislacionit të BE-së dhe plotësimin e Ligjit aktual me legjislacionin e BE-së”, është shprehur ai.
Në këtë takim, guvernatori Mehmeti ka thënë se BQK-ja do të vazhdojë të kryej detyrat e saj të përcaktuara me ligj, duke u angazhuar që bashkërisht me institucionet tjera të kontribuojë në zgjidhjen e funksionimit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare në Kosovë.
Në këta takim guvernatori Fehmi Mehmeti ka bërë me dije sektori bankar në Kosovë në vazhdimësi është duke shënuar rritje dhe zhvillim, e cila sipas tij evidentohet me rritje të treguesve kryesor në periudhën krahasuese 30.04.2018 – 30.04.2017.
“Kemi rritje në kreditim 10.4 %, në depozita 4.8 % dhe rritje në pasuri prej 5.8 %, ndërsa në anën tjetër kemi një zvogëlim të theksuar të kredive joperformuese prej 2.9 % nga 4.3 % sa ishin në prill të vitit 2017”, ka thënë guvernatori.
Ai ka shtuar se sektori bankar paraqet shtyllën kryesore në financimin e ekonomisë së vendit, me anë financimit të bizneseve dhe ekonomive familjare.
“Gjendja e kredive në sektorin bankar më datë 30.04.2018 është 2.55 miliard euro. Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë i sigurt, qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar, me një rritje të vazhdueshme”, ka thënë Mehmeti.
/Epoka e re/