Sektori bankar për tre muaj me fitim prej 17.9 milionë eurosh
Sipas raportit të fundit të Banës Qendrore të Kosovës (BQK) “Vlerësimi Tremujor i Sistemit Financiar Nr. 22”, për vlerësimin e tremujorit të parë (TM1) të vitit 2018, sistemi financiar në vend ka shënuar rritje edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2018.
Megjithëse, sipas BQK-së, analiza krahasimtare tremujore sugjeron një zvogëlim të aseteve të sistemit financiar në TM1 2018, kryesisht si pasojë e zvogëlimit të aseteve të sektorit bankar dhe atij pensional.
“Sektori bankar në TM1 2018 është karakterizuar me rritje të aktivitetit kreditues, performancë të mirë financiare si dhe nivel të kënaqshëm të indikatorëve që matin shëndetin e sektorit. Në TM1 2018 asetet e sektorit bankar u zvogëluan për 4.6 milionë euro, kryesisht rezultat i tkurrjes së kategorisë së parasë së gatshme dhe bilancit të mbajtur në BQK, si dhe kategorisë së investimeve të mbajtura në bankat e tjera. Rritja e gjithsej stokut të kredive, ndër të tjera, erdhi si rezultat i rritjes së kredive të reja gjatë kësaj periudhe, veçanërisht kredive me karakter investues (ndërmarrje) dhe atyre për konsum (ekonomi familjare)”, është thënë në këtë raport. Sipas këtij raporti të BQK-së, sektorët ekonomikë që u kredituan më shumë në këtë periudhë ishin tregtia, bujqësia dhe prodhimtaria. “Rritja e kreditimit vazhdon të financohet kryesisht nga depozitat e mbledhura brenda ekonomisë së vendit, të cilat në fund të TM1 2018 përfaqësuan 79.4 për qind të gjithsej detyrimeve të sektorit. Në TM1 2018 depozitat u zvogëluan për 18.3 milionë euro si pasojë e tkurrjes së depozitave të ndërmarrjeve të mbajtura në sektorin bankar gjatë kësaj periudhe”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton “Epoka e re”.
Në tremujorin e parë të këtij viti normat e interesit në kredi kanë vazhduar trendin rënës, kurse ato në depozita kanë shënuar një rritje të lehtë vjetore.
“Norma e interesit në kredi në TM1 2018 qëndroi në nivel prej 6.9 përqindësh, kurse në depozita në 1.1 për qind. Sektori bankar u karakterizua me performancë të kënaqshme financiare gjatë TM1 2018, duke realizuar fitim neto prej 17.9 milionë eurosh, por që është më i ulët krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Rënia e lehtë e profitit të realizuar ishte kryesisht pasojë e rritjes së shpenzimeve, përderisa të hyrat mbetën në nivel të ngjashëm me periudhën e kaluar. Sektori bankar shënoi përmirësim të indikatorëve kyçë të shëndetit financiar. Në TM1 2018 niveli i kredive joperformuese qëndroi në nivel prej 2.9 përqindësh, kurse mbulueshmëria e tyre me provizione në nivel prej 155.1 përqindësh. Në të njëjtën periudhë treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndroi në nivel prej 18.3 përqindësh, përderisa sektori gëzoi edhe nivel të kënaqshëm të likuiditetit prej 35.9 përqindësh”, thuhet më tej në raportin e BQK-së.
Më tej, theksohet se sektori pensional në tremujorin e parë (TM1) 2018 ka shënuar rënie të aseteve, megjithëse stoku i gjithsej aseteve të sektorit ka shënuar rritje që u reflektua edhe në rritjen e peshës së sektorit në asetet e sistemit financiar krahas periudhës së njëjtë të vitit paraprak.
“Në tremujorin e parë ky sektor u karakterizua me ecuri pozitive të kontributeve të reja, ndërsa performancë negative pati sa i përket kthimit bruto nga investimet. Sektori i sigurimeve mbylli këtë tremujor me rezultat pozitiv financiar, megjithëse në vlerë më të ulët krahas tremujorit të njëjtë në vitin paraprak. Më saktësisht, faktorët që ndikuan në dinamikat e sektorit të sigurimeve ishin rritja në të hyrat neto nga primet dhe menaxhimi efikas i shpenzimeve të sektorit, ndërsa faktorët të cilët kontribuuan negativisht ishin zvogëlimi i aseteve dhe rritja e theksuar e dëmeve të ndodhura gjatë TM1 2018”, thuhet në raport, duke shtuar se sektori mikrofinanciar ka vazhduar ta rrisë aktivitetin, ku edhe tremujori i parë u karakterizua me rritje të theksuar të aseteve si rezultat i rritjes së stokut të kredive të këtij sektori.
“Njëkohësisht, dinamikat në këtë sektor dhe rritja e konsiderueshme e të hyrave rezultuan në rritje të profitit gjatë tremujorit të parë të vitit 2018. Tregu i letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës gjatë këtij tremujori u karakterizua me rritje të vlerës së emetuar dhe rritje të afatit të maturimit, por kërkesë më të ulët për të investuar në letrat me vlerë, gjë që mund të ketë ndikuar në rritjen e normës së përgjithshme të interesit në TM1 2018”, thënë në raportin e BQK-së.
Albulena S. MAVRAJ