Sektori i bujqësisë me potencial për rritje të eksporteve në Kosovë

03 maj 2019 | 13:53

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me GIZ-in, në kuadër të projektit Fondi Rajonal i Hapur – Tregtia e Jashtme, kanë realizuar një studim në nivel rajonal mbi gatishmërinë për eksport të sektorit të bujqësisë, respektivisht sektorit të pemëve dhe perimeve.

Në nivel rajonal anketimi ka përfshirë 146 kompani, prej të cilave 43 ishin nga Kosova, 36 nga Serbia, 21 nga Bosnja dhe Hercegovina, 19 nga Maqedonia, 15 nga Shqipëria dhe 12 nga Mali i Zi.

Sipas një njoftimi të OEK-ut, kompanitë kosovare të këtij sektori ndër barrierat kryesore në tregun vendor kanë përmendur vështirësitë në gjetjen e distributorëve (49 për qind), certifikimet e sigurisë ushqimore (37 për qind), treg i vogël për produktet ushqimore (33 për qind), vështirësi në qasjen në financa (26 për qind), kostoja e lartë e lëndës së parë (23 për qind) dhe gjetja e stafit të përgatitur mirë për shitje (23 për qind).

Megjithatë, në nivel kombëtar, sipas kompanive respondente, zhvillimi i këtyre kompanive ka qenë i kënaqshëm (49 për qind) konform kushteve dhe ambientit binzesor në vend.

Arsyet kryesore për moszhvillim të pjesës tjetër të kompanive janë përmendur të jenë produktet e shumta nga tregjet e huaja, ekonomia informale, klientët nuk paguajnë me kohë; mungesa e fuqisë punëtore; konkurrenca nga jashtë/importi; mungesa e tregut, monopolet e krijuara nga politika; çmime të ulëta të konkurrencës; investimet e kufizuara në teknologji të re dhe në stafin profesional.

Sipas OEK-ut, mbi gjysma e kompanive të anketuara kanë deklaruar që mund të eksportojnë me kapacitetet aktuale, ndërsa për rreth 9 për qind të kompanive pjesëmarrëse në studim përfshirja në eksport do të kërkonte investime të shumta dhe të papërballueshme për ta. Rreth 21 për qind e kompanive nuk kanë informatën e duhur se çfarë u nevojitet për të eksportuar produktet e tyre.

“Mungesa e laboratorëve të akredituara në Kosovë mbetet sfidë për mbi 20 për qind të kompanive të këtij sektori, duke rritur kështu koston e prodhimit dhe duke ndikuar në rritjen e çmimit final të produkteve tona, si rrjedhojë edhe aftësia konkurruese e çmimeve mbetet më e vogël. Rreth 19 për qind e kompanive kanë deklaruar të mos posedojnë aktualisht asnjë certifikim ndërkombëtar, ndërsa një pjesë e madhe e tyre posedojnë Global GAP, dhe HACCP”, është theksuar në njoftimin e OEK-ut.

Nga 35 për qind e kompanive që eksportojnë rregullisht destinacion kryesor i eksporteve janë vendet e rajonit/CEFTA, Gjermani, Holandë, Zvicër, Itali, Francë, Bullgari, etj. 42 për qind e kompanive që aktualisht nuk eksportojnë kanë provuar të qasen në tregjet e huaja, por pa pasur sukses. Arsye e dështimit mbeten barrierat jotarifore dhe politike, mungesa e qasjes në informata në vendin e destinacionit, taksat e larta, mospërmbushja e marrëveshjeve, konkurrenca e padrejtë, etj.

Në nivel rajonal (krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor), pothuajse të gjitha kompanitë bëjnë analiza të brendshme ose posedojnë certifikime. 78 për qind e kompanive të të gjithë rajonit konsiderojnë produktet e tyre të jenë në përputhje me rregulloret e BE-së dhe standardet e sigurisë, përveç shkallës së ulët në Kosovë dhe Mal të Zi.

“51 për qind e kompanive kanë HACCP (Maqedoni 95 për qind, Kosovë 23 për qind); 23 për qind Global GAP; 15 për qind nuk kanë certifikim (19 për qind në Kosovë). 34 për qind provuan tregjet e reja të eksportit pa sukses; arsyet kryesore: kushtet e pagesës, mungesa e mbështetjes shtetërore, konkurrenca e pandershëm. Pengesat kryesore: konkurrenca në çmim (44 për qind), aksesi në rrjetet e shitjes (40 për qind), qasja në financa (38 për qind)”, është thënë në njoftimin e OEK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi, ka marrë pjesë…