Sektori i derivateve të naftës në Kosovë po përballet me sfida
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar se ky sektor është duke u ballafaquar me një varg sfidash në bazë të udhëzimeve administrative të cilat janë në kundërshtim me standardet e BE-së. Ai ka thënë për “Epokën e re” se politikat qeveritare e kanë rënduar në masë të madhe këtë sektor. Në këtë kontekst, Berjani ka përmendur Udhëzimin Administrativ për pastrimin e rezervave të naftës, taksën e kyçjes në rrugë si dhe pagesën për licencë në baza vjetore. Ai ka thënë se vetëm në Kosovë ndodh që të paguhen çdo vit këto taksa. Sipas tij, një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur të merret licenca
Albulena S. MAVRAJ
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se ky sektor është duke u përballur me një varg sfidash edhe për shkak të udhëzimeve administrative dhe politikave qeveritare, të cilat, sipas tij, e kanë rënduar tej mase këtë sektor. Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se Kosova qëndron larg standardeve të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket sektorit të derivateve të naftës. Berjani ka thënë se Kosova ka udhëzime dhe vendime të cilat nuk aplikohen në asnjë vend të BE-së siç është pagesa e licencave në baza vjetore, çështja kohore e pastrimit të rezervave të naftës, si dhe pagesat e larta për kyçje në rrugë. “Ky sektor ka shumë sfida. Besojmë dhe shpresojmë se do të rregullohen gjërat. Ne si përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve kemi pasur takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, ku kemi prezantuar problemet në këtë sektor dhe ai na ka premtuar bashkëpunim dhe realizim të kërkesave tona. Kërkesat tona janë që të jemi edhe ne pjesë e standardeve evropiane të BE-së. Pos të tjerash, kemi kërkuar që Ligji i Naftës të kalojë sa më shpejt, pasi askund në botë në sektorin e naftës nuk paguhen licenca çdo dy vjet, por duhet të jenë të përhershme”, ka deklaruar Berjani, duke shtuar se sfiduese për naftëtarët mbetet edhe taksa për kyçje në rrugë. “Kjo taksë është ngarkesë për bizneset, ku paguhet çdo vit dhe do të duhej të paguhej vetëm kur të merret leja e ndërtimit. Shpresoj se ky problem do të rregullohet nga ministri Arban Abrashi. Presim që shumë shpejt ta kemi një takim me të dhe t’i shpalosim sfidat tona”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë Berjani ka folur edh për cilësinë e derivateve të naftës dhe për çmimin e tyre. “Vlen ta theksoj se çmimet do të jenë deri në një euro. Për naftë çmimet pritet të jenë 0.99 centë, kurse për benzinë një euro”, është shprehur Berjani.
Sa i përket cilësisë së naftës, ai ka thënë se Kosova ka arritur që ta kontrollojë naftën deri në 70 për qind. “Ne si shoqatë kemi qenë zë i fuqishëm që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në kufi dhe deri më tani Dogana e Kosovës ka arritur ta kontrollojë cilësinë deri në 70 për qind, por me këtë përqindje nuk jemi të kënaqur”, ka thënë Berjani.
“Epoka e re”: Z. Berjani, sa dhe si ka ndikuar pandemia në sektorin e naftës?
Berjani: Sa i përket sektorit të naftës, pandemia e ka dëmtuar këtë sektor, edhe pse dihet që pikat e karburantit në fillim të pandemisë kanë punuar me kapacitet prej 5 deri në 10-përqindësh. Ndërsa në këtë kohë pikat e karburantit janë duke punuar me kapacitet rreth 80 për qind, pasi masat e qarkullimit ndikojnë në lëvizjen e qytetarëve dhe kjo është krejt normale dhe se duhet të respektohen masat.
“Epoka e re”: Si sillen çmimet e derivateve të naftës në Kosovë?
Berjani: Sa i përket çmimit të derivateve, qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën më të ulët prej 0.22 centësh.
“Epoka e re”: Si sillen sot çmimet në Kosovë?
Berjani: Çmimet në Kosovë për naftë janë 0.95 centë, kurse për benzinë 0.96 centë. Kurse sot në Shqipëri çmimet janë: nafta 1 euro e 37 centë, ndërsa benzina 1 euro e 38 centë.
“Epoka e re”: Z. Berjani, cilat janë sfidat me të cilat përballet sektori i naftës në vendin tonë?
Berjani: Ky sektor ka shumë sfida. Besojmë dhe shpresojmë se do të rregullohen gjërat. Ne si përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve kemi pasur takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, ku kemi prezantuar problemet në këtë sektor dhe ai na ka premtuar bashkëpunim dhe realizim në kërkesat tona. Kërkesat tona janë që të jemi edhe ne pjesë e standardeve evropiane të BE-së. Pos të tjerash, kemi kërkuar që Ligji i Naftës të kalojë sa më shpejt, pasi askund në botë në sektorin e naftës nuk paguhen licenca çdo dy vjet, por duhet të jenë të përhershme.
“Epoka e re”: Po ashtu, ju keni pasur vërejtje edhe sa i përket Udhëzimit Administrativ për pastrimin e rezervave të naftës?
Berjani: Ministri Krasniqi na ka premtuar ndryshimin e udhëzimeve administrative të cilat janë në kundërshtim me standardet e BE-së. Pastrimi i rezervave është aprovuar që të bëhet çdo tri vjet dhe këtë e kemi kundërshtuar dhe ministri Krasniqi na ka premtuar se do ta ndryshojë sipas kërkesës së naftëtarëve. Pra, pastrimi të bëhet çdo 15 vjet, pasi ky është edhe standard i BE-së. Sfidë tjetër, po ashtu, e kemi paraqitur edhe kalibrimin e pikave rrjedhëse (pishtole), që çmimi ka qenë në për një pikë rrjedhëse 10 euro, kurse me udhëzimin e ri është 26 euro, gjë që edhe për këtë ministri Krasniqi na ka premtuar se do të kthehet në çmimin e mëparshëm, që ishte 10 euro. Shpresoj se këto premtime të ministrit Krasniqi nuk do të jenë boshe.
“Epoka e re”: Sa pika karburanti i ka Kosova dhe a duhet të lejohen të ndërtohen edhe pika të tjera?
Berjani: Sa iu përket pikave të karburantit, aktualisht janë 750 pika, ndërsa sa i përket çështjes se a duhet të lejohet të ndërtohen edhe më tutje, ne nuk jemi kundër ndërtimit të tyre, por ato duhet të jenë në kuadër të standardeve të Bashkimit Evropian (BE). Standard duhet të jetë çështja e largësisë apo distancës nga pika në pikë. Në rrugë lokale duhet të jetë 10 kilometra, në magjistrale 15 kilometra dhe në autostradë 25 kilometra. Rast konkret në autostradën “Ibrahim Rugova” është respektuar standardi i largësisë.
“Epoka e re”: Sa pika karburanti janë në pjesën veriore të Kosovës?
Berjani: Sa i përket Mitrovicës së Veriut, janë 50 pika të karburantit, ndërsa me licencë të Republikës së Kosovës punojnë përafërsisht 10.
“Epoka e re”: Z. Berjani, një nga sfidat është edhe taksa për kyçje në rrugë. Çfarë është bërë në këtë drejtim?
Berjani: Kjo taksë është ngarkesë për bizneset, ku paguhet çdo vit dhe do të duhej të paguhej vetëm kur të merret leja e ndërtimit. Shpresoj se ky problem do të rregullohet nga ministri Arban Abrashi. Presim që shumë shpejt ta kemi një takim me të dhe t’i shpalosim sfidat tona.
“Epoka e re”: Sa është pagesa për këtë taksë?
Berjani: Taksa për kyçje rrugore ka koston deri në 1 800 euro në vit.
“Epoka e re”: Z. Berjani, çfarë cilësie të naftës kemi në Kosovë?
Berjani: Ne si shoqatë kemi qenë zë i fuqishëm që kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet në kufi dhe deri më tani Dogana e Kosovës ka arritur ta kontrollojë cilësinë deri në 70 për qind dhe me këtë përqindje nuk jemi të kënaqur.
“Epoka e re”: A pritet të ketë lëvizje të çmimeve të derivateve?
Berjani: Sa iu përket çmimeve, gjatë javës që shkoi ka pasur lëvizje të lehta te çmimet me shumicë, por tek ato me pakicë nuk ka pasur lëvizje të çmimeve.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj jave pritet të ketë rritje të theksuar të derivateve të naftës?
Berjani: Vlen të theksoj se çmimet do të jenë deri në një euro. Për naftë çmimet pritet të jenë 0.99 centë, kurse për benzinë 1 euro.