Sektori i gjendjes civile në Mitrovicë do të punojë deri në orën 19:00

05 korrik 2021 | 15:24

Nën kryesimin e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale,  të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e bordit të drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për mitrovicasit.

Në këtë mbledhje drejtori i Inspeksionit, Fidan Ademi, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me vizitat dhe kontrollimin e lokaleve të natës nga inspektorët komunal me qëllim të shmangies së ndotjes akustike si pasoj e volumit të muzikës dhe kontrollimin e nivelit të zhurmës nga këto lokale.

“Drejtoria e Inspeksionit pas adresimit të kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve si pasojë e nivelit të lartë të muzikës edhe gjatë këtij vikendi ka inspektuar lokalet e natës në mënyrë që të evitohet ndotja akustike si pasoje e nivelit të lartë të zhurmës, ku drejtoria jonë shumë shpejtë do të ketë në posedim edhe pajisjen e cila do të identifikoj nivelin e zhurmës. Komuna nuk ka për qëllim që të pengoj veprimtaritë e këtyre bizneseve por që të ketë disiplinë dhe të ruhet qetësia publike e qytetarëve”, ka thënë Ademi.

Më tutje, ai ka propozuar që të bëhet plotësim/ndryshimi i Rregullores Komunale për Mbrojtjen e Mjedisit 02/2010, respektivisht neni 15 për mbrojte nga zhurma, që të specifikohet lartësia maksimale e zhurmës konform standardeve evropiane, ndërsa për të gjithë kundërvajtësit do të shqiptohen gjoba të rrepta.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ekrem Sadiku, ka potencuar se pas reshjeve të shiut që kapluan qytetin Mitrovicën, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, gjatë këtij vikendi kanë qëndruar në vizitë tek fermerët të cilët pësuan dëme nga këto reshje.

Në anën tjetër, drejtoresha e Administratës, Valmire Sylejmani, ka informuar bordin e drejtorëve se për të ofruar shërbime sa me cilësore dhe të shpejta, sektori i gjendjes civile do të punojë deri në ora 19:00, duke përfshirë këtu edhe kohën e pauzës.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpërthen lufta e shampanjës mes Rusisë e Francës. Luftën e…