Sekuestrimi i 400 kilogramëve kokainë në Lipjan, shtatë qytetarët e arrestuar sot dalin para gjykatës
19 maj 2021
| 10:04
Sot do të mbahet seanca për shtatë kosovarët që u arrestuan gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Lipjan, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Telegraf”-in zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po, seanca për shtatë të arrestuarit do të mbahet sot, në orën 10:30”, deklaroi ajo.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë.