Sekuestrohen mbi 250 mijë euro në portin e Durrësit
Në portin e Durrësit po vijojnë operacionet për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të futur në Shqipëri para që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
Në bazë të analizës së riskut dhe informacioneve të siguruara paraprakisht, policia sekuestroi 251 mijë e 295 euro dhe medikamente mjekësore.
Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e grupeve kriminale që tentojnë pastrimin e parave, si dhe për sekuestrimin e aseteve dhe vlerave monetare që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.
58-vjeçari i arrestuar vinte nga Italia dhe tentoi t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar paratë dhe medikamentet që kishte fshehur në automjetin e tij. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4″, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua Muhamed Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13.
Ai kishte fshehur në automjetin e tij 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.
Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”./TCH