Sekuestrohen mbi 340 pako të cigareve në aeroportin ‘Adem Jashari’, destinim kishin Anglinë

13 janar 2025 | 15:40

Zyrtarë kufitarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë parandaluar kontrabandim të duhanit të cilat përmes Kosovës ishin të destinuara kryesisht për në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të policisë, si rezultat i angazhimeve dhe veprimeve policore vetëm përgjatë muajve dhjetor 2024 – janar 2025, janë identifikuar katër raste të kontrabandimit me cigare, ku persona të dyshuar me shtetësi të huaj dhe të Kosovës, kanë tentuar që të kontrabandojnë pako/shteka me cigare prej sasive të ndryshme, për në qytetin e Londrës.

Në rastin e fundit të ndodhur me datën 11 janar 2025, është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove/shtekave me cigare, të cilat i dyshuari mashkull shtetas bullgar ka tentuar përmes Kosovës t’i kontrabandojë në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.

Në këto katër raste Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka sekuestruar mbi 340 pako/shteka me cigare të llojeve të ndryshme, kryesisht të llojeve të shtrenjta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat…