Sekuestrohet vetura ‘Land Rover’ në kufirin Kosovë – Shqipëri, rezultoi e vjedhur në Itali
Të enjten nga Shqipëria për në Kosovë ka ardhur vetura “Land Rover” me targa të Shqipërisë, të cilin e drejtonte shtetasi i Shqipërisë me inicialet U.R., viti i lindjes 1992. Vetura është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë.
Gjatë kontrollimit të veturë dhe numrit identifikues të veturës, është dyshuar se vetura është raportuar e vjedhur.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e ‘FRONTEX’, të cilët janë me mision në PKK Vermicë, është bërë verifikimi më i detajuar i automjetit dhe pas një pune hetimore dhe verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky automjet është raportuar i vjedhur në Itali, në vitin 2021. Më pas dyshohet se i janë falsifikuar dokumentet e automjetit dhe i njëjti është riregjistruar në Shqipëri”, ka njoftuar policia.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit në Prizren, i cili ka urdhëruar që të iniciohet rasti dhe vetura të sekuestrohet.
“Lënda për hetim i dorëzohet njësitit së autokrimeve për hetime dhe procedim të mëtejmë”, ka njoftuar policia.