SELAMI NEZIRI: LIRIA E ATDHEUT TIM MBI TË GJITHA!
PORTRETE ATDHETARËSH
Nga: Ismet Rashiti
(PJESA I)
Një djalë i urtë, i kultuaruar dhe i edukuar për mrekulli. I lindur më 5 korrik 1972 në familjen e njohur Neziri të fshatit Sllatinë e Poshtme të Vitisë. Është ky luftetari sypatrembur i lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare, Selami Neziri, djali më i vogël i pesë vëllezërve dhe dy motrave të Elmi dhe Sabrije Nezirit, i cili qyshë në fëmiri, u frymëzua dhe u edukua në frymë kombëtare. Gjatë viteve 70-ta oda e Elmi Nezirit ishte shëndrruar në një vatër patritiotike, ku takohej rinia përparimtare sllatinase; bisedonin dhe frymëzoheshin për një të ardhme më të mirë të popullit shqiptar. Tregimet e babait, Elmiut, i cili i kishte mbijetuar masakrës famëkeqe të Tivarit në mars-prill 1945, sikurse rrëfimet e nënës Sabrije nga fshati Terpezë për vrasjet e burrave mbi moshën 14-vjeçare të familjes Cakaj nga çetnikët serb, kishin qenë frymëzimet e para të cilat iu kishin ngulitur në kokë Selamiut të vogël. I kujtonte me dhimbje të madhe, ndaj skishin si të mos ndikonin në formimin e tij si njeri i përkushtuar dhe si atdhetar i flaktë dhe shumë i vendosur.
Për shkak veprimtarisë atdhetare, literaturës patriotike dhe gazetave ilegale që qarkullonin atë kohë në familjen Neziri, e tërë familja ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe. Shtëpia e Elmi Nezirit herë pas here bastisej nga forca të mëdha policore të rexhimit antishqiptrar të ish Jugosllavisë. Jo kot thuhej se “Vetura e policisë ish jugosllave edhe pa ngasës, ka ditur me shku vetëm para dyerve të familjes Neziri”. Thënë ndryshe familja Neziri një kohë të gjatë është ndjekur, burgosur e maltretuar nga UDB-ja për shkak bindjeve politike për liri dhe çlirim kombëtar.
“Më kujtohet, thot Selami Neziri, kur në mëngjesin e hershëm të 25 nëntorit 1981 inspektorët e UDB-së, arrestojnë tre djemtë e mëdhenjë të Elmiut, vëllezrit e mi më të mëdhenjë, Fehmi, Muhabi dhe Gani Neziri. Pastaj gjithnjë më rri në kujtesë shkurti i vitit 1989, kur policia ka arrestuar vëllaun tim, Muhabiun” .
Më datën 07 gusht 1993, familja Neziri rrethohet me 60 policë dhe pesë inspektor të UDB-së të udhëhequr nga Nenad Popoviq. Kjo ishte bastisja më e vrazhdë nga të gjitha rrethimet, bastisjet dhe ndjekjet tjera. Kësaj radhe arrestohet djali më i vogël, Selami Neziri si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK).
Selami Neziri veprimtarinë e tij patriotike e nisë qyshë në moshën 17-vjeçare. Pjesmarrës i protestave dhe demonstratave të shumta në pranverën e vitit 1989, duke moslejuar forcat serbe të qarkullonin rrugëve të fshtrave drejt qytetit për të shtypur demonstruesit liridashës.
Natën e shtatorit të motit 1991, Selami Neziri, bashk me vëllaun, Muhabiun dhe Selam Frangun, marrin aksion për fshierjen e numrave të shtëpive që po i vendoste okupatori serbe për qëllimet e tij antishqiptare.
Me qëllim që të ndërpriteshin dukuritë e ndryshme negative në shoqërinë shqiptare dhe nxitjen e rinisë për shkollim e dituri, në nëntor të vitit 1992 në shtëpinë e Nexhmedin Hajdinit në fshatin Trestenik të Vitisë, Selami Neziri bashk me Nexhmedin Hajdinin, Avni Zejnullahun nga fshati Ramjan, Avni Azizin nga Terpeza, themelojnë grupin për luftimin e dukurive negative që po shfaqeshin tek rinia shkollore shqiptare përmes formaave perfide nxitëse sipas elaborateve të akademikëve shovinist serb. Më vonë këti grupi i bashkohen edhe Emin Maliqi nga Terpeza dhe Ramush Demelezi e Faradin Frangu.
Njëri nga aksionet e para të këti grupi është shkruarja e dy trakteve drejtuar nxënësve shqiptarë që të largohen nga bilardot si mjet për largimin e tyre nga procesi shkollor. Njëri trakt shkruhet nga Selami Neziri dhe vendoset nëpër dyertë shkollave dhe tjetri i shkruar nga Avni Azizi vendoset në dyertë e lokaleve të bilardës të cilat gjatë atyre viteve kishin marrë karakter shqetësues për rininë shkollore shqiptare.
NESËR: Selami Neziri anëtar i LKÇK-së dhe Komandat i UÇK-së për çlirimin e Kosovës