SELAMI NEZIRI NJË SHKËNDIJË ÇLIRIMTARE
PORTRETE ATDHETARËSH
Nga: Ismet Rashiti
(PJESA II)
Për këtë tokë, e për liri,
Vjen nga Zvicra një shkëndijë,
Si shkëndijë çlirimtare,
Komandanti prinë në male!
Luftëtari i lirisë, Selami Neziri, i njohur me pseudonimin e luftës “Agroni” me sukses ka mbaruar shkollën fillore në Sllatinë, ndërsa të mesmen në Pozhoran. Në vitin 1991 regjistrohet në Fakultetin Elektroteknik. Gjatë kohës sa po i ndiqte studimet, në korrik 1993, arrestohet nga sigurimi serb dhe pastaj dënohet nga Gjykata e Qarkut në Gjilan me 14 muaj burg. Për shkak rrezikut që e priste arratiset në Zvicër, ku vazhdon shkollimin dhe certifikohet në të gjitha nivelet e gjuhës gjermane në Goethe-Institut, pran Universitetit të Friburgut.
Si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që nga muaji mars i vitit 1998, Selami Neziri, e kishte ndarë mendjen që t’i bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovës. Atdhetari i flaktë dhe i vendosur për çlirimin e Atdheut nga soldateska serbe, si një shkëndijë e lirisë, lë luksin zviceran dhe kthehet në Kosovë, aty ku manovronin tanket e okupatorit serb. Selamiu ishte i bindur se tashmë ishin shterur të gjitha përpjekjet paqësore, ndaj i vetmi opsion kishte mbetur organizimi i njësiteve guerile të UÇK-së. Selamiu i zgjuar, i vendosur dhe trim mezi priste momentin e nisjes drejt Kosovës së robëruar. Ai ishte anëtar i Këshillit Qendror të LKÇK-së për Zvicër bashkë me Istref Klinakun nga Mazgiti i Obiliqit, Januz Salihun nga Remniku i Vitisë dhe Jashar Balajn nga Doberdolani i Suharekës.
Me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së, Selami Neziri bashkë me Besim Beqirin – Beqa nga Radivojci i Vitisë, Blerim Zhabari – Dritani nga fshati Novolan i Vushtrrisë dhe Mehmet Isufi – Isa nga Vushtrria, më datën 06 mars 1998 kthehen nga Zvicra për t’u marrë me organizimin e njësiteve guerile. Në Tiranë bëhen bashk edhe me grupin e LKÇK-së nga Gjermania dhe nisen për Kosovë në krye me veprimtarin e njohur, Fatmir Humolli-Baci (Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm i LKÇK-së).
“Më 9 mars deri më 10 prill, Selami Neziri ka qëndruar në njërën nga bazat e LKÇK-së në Durrës. “Ligjëratat për organizimin e luftës guerile i kam dëgjuar nga Shaban Braha, oficer në pension i Ushtrisë Shqiptare me prejardhje nga Prizreni. Mësimin për përdorimin e armëve, që nga revolja TT, kallashnikovi, mitralozi i lehtë, murtaja – anti-tank deri te rrethimi i objekteve të rëndësisë së veçantë, i kam marrë nga Hafir Hoxha – Aliu nga Sllatina e Poshtme e Vitisë”, thotë pas shumë vitesh, Komandanti i UÇK-së, Selami Neziri – Agroni, duke kujtuar edhe shumë momente tjera gjatë qëndrimit në Shqipëri, para se të futej në frontin e luftës çlirimtare.
Në mesnatën e datës 10 dhe 11 Prillit 1998, së bashku me një grup prej 23 luftëtarësh kalojnë kufirin Shqipëri-Kosovë përmes bjeshkëve të Pashtrikut dhe vendosen në lagjen Balaj në Doberdelan.
Më 11 maj 1998, në momentin kur bëhet marrëveshja UÇK-LKÇK, unë gjendem në radhët e njësiteve guerile të LKÇK-së në Prishtinë. Fatmir Humolli informohet se UÇK nuk kishte as një anëtar të organizuar në Anamoravë. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Humolli e ngarkon, Selami Nezirin të njohur me nofkën “Agroni”. “Fatmir Humolli më ngarkon mua me detyrën e organizimit të UÇK-së në komunën e Vitisë dhe mundësisht të krijoj kontakte me ndokënd në komunën e Gjilanit”, kujton Selami Neziri.
Në mëngjesin e hershëm të 10 qershorit të vitit 1998, pas shumë vështirësive, i shoqëruar nga dy pjesëtarë të gueriles së Kryeqytetit, Mejdi Asllani-Plaku dhe Fatmir Ajeti-Fitimi, Selami Neziri – Agroni shkojnë në familjen Neziri në Sllatinë të Poshtme.
“Në pasditen e 10 qershorit të vitit 1998 në shtëpinë time themelojmë njësitin e parë të UÇK-së për Komunën e Vitisë me vëllanë Ganiun dhe shokët e mi Ramush Demelezin dhe Faredin Frangun. Në mbrëmje takohem me Abdyl Bajramin nga Verbani dhe pas tij me Nazim Azemin nga Sllatina e Epërme, të cilët marrin përgjegjësi për organizimin UÇK-së në komunën tonë”, kujton me modesti ato kohë të vështira, Selami Neziri.
Pastaj, gjatë kontakteve me bashkëluftëtarët e përmendur, ndajnë detyrat për organizim të UÇK-së: Ekrem Qerimi-Mentori nga Pozherani, Remzi Salihu-Skenderi(më vonë Profi) nga Remniku, Daut Xhemajli-Plaku nga Begunca, Gafurr Arifi-Petriti nga Sllatina e epërme, Avni Azizi-Korabi nga Terpeza, Skenderbe Hebibi-Rama nga Lubishta, Emrush Azizi-Fitimi nga Smira. Pas një aktiviteti të mundimshëm, ditën dhe më shumë natën, brenda tre muajve shtrirja organizative e UÇK-së kishte marrë formë edhe në komunën tonë”, kujton Komandanti, Selami Neziri.
Në bazë të porosisë nga Komandanti i Gueriles së UÇK-së në Prishtinë Sali Mustafa-Cali, në gusht 1998 themelohet Shtabi Operativ Komunal i UÇK-së për komunën e Vitisë:
Emërimet bëhen me sa vijon: Komandant, Selami Neziri – Agron Hoxha, ZV. Komandant, Abdyl Bajrami – Petriti (Rremi), shef i Sektorit Politiko-Organizativ, Nazim Azemi- Shitësi, shef i Shërbimit Inforamtivo- Ushtarak, Gani Neziri- Filo (Agimi), shef i Sektorit për Furnizim, Ekrem Qerimi – Mentor Vitia, shef i Sektorit Operativ – Ushtarak, Remzi Salihu- Skenderi, i mjekësisë (nuk kishte mjek të gatshëm) dhe ndihmëse për mjekësi, Kefsere Demelezi, Drita Azemi dhe Drita Xheladini.
Rol të madh dhe tepër të rëndësishëm, Selami Neziri, Komandant “Agroni” ka luajtur edhe në mbledhjen themeluese të 7 nëntorit 1998 të Shtabit Operativ të Zonës së Karadakut.
E gjithë periudha e luftës ishte përpjekje, çëndresë, mobilizim dhe luftë për çlirimin e Kosovës. Selami Neziri, sypatrembur në ballë të aksioneve dhe beteja, aty ku e kërkonte nevoja.
Pas luftës Selam Neziri ka udhëhequr disa funksione në komunën e Vitisë.
Në vitin 2003 kthehet sërish në Zvicër, ku jeton edhe sot me bashkëshorten Lumije Klinaku-Neziri që vjen po ashtu nga një familje atdhetarësh që ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës dhe dy djemtë e dashur si drita, Rrezonin dhe Bleronin.
FUND