Selia e Qendrës së Arsimit për Diasporën do të jetë në Prishtinë
Në Tiranë është mbajtur takimi ndërministror Kosovë-Shqipëri për mësimin shqip në diasporë.
Kjo paraqet takimin tjetër të punës mes dy ministrive të Diasporës dhe dy ministrive të Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që është vazhdimësi e procesit të implementimit të marrëveshjes për mësimin shqip në diasporë.
Në këtë tryezë ishin prezentë ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, njëherësh zëvendëskryeministër, Dardan Gashi, ministrja e Arsimit, Sportit dhe e Rinisë e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Heset Sahiti.
Gjatë takimit, tre ministrat u informuan për procesin e deritashëm, fazat e implementimit të marrëveshjes, si dhe për hapat e mëtutjeshëm.
Të tre ministrat u pajtuan të themelohet Këshilli i përbashkët për implementimin e marrëveshjes. Ky i fundit ka marrë vendimin për ngritjen e qendrës arsimore në Diasporë, me seli në Prishtinë, e cila do të jetë në funksion të implementimit të detajeve teknike të marrëveshjes.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt unifikimit të mësimit shqip në Diasporë. Tani kemi zotime të përbashkëta për hapa konkretë në drejtim të implementimit të plotë të marrëveshjes ndërshtetërore, të nënshkruar mes dy kryeministrave”, ka thënë zëvendëskryeministri Gashi.
Në anën tjetër, ministrja Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, i ka përgëzuar të dyja qeveritë për angazhimin që kanë marrë për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit shqiptar. “Unifikimi i sistemit arsimor është një hap shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Nikolla.
Ndërsa, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka thënë se sot, në prag në 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, kemi çfarë t’i themi publikut. “Brenda një kohe të shkurtër, pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, ndërmorëm disa vendime të rëndësishme, si ai lidhur me krijimin e qendrës për arsimin në Diasporë”, ka thënë Majko.
Ky takim do të vazhdojë në nivelin teknik, që do të rezultojë me nxjerrjen e konkluzioneve të tjera.