Selim Pacolli nuk certifikohet nga KQZ-ja

27 gusht 2021 | 16:17

Selim Pacolli ka njoftuar të premten se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës.

“Sapo mora lajmin se KQZ-ja nuk do ta certifikojë kandidaturën time për kryetar të Prishtinës. Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit). Me saktë, afati ishte të premten, ndërsa deklarimi të hënën, në orën 8:00 të mëngjesit në prezencën time fizike. Kjo vonesë ka ndodhur si pasojë e udhëtimit tim për çështje shëndetësore jashtë vendit. Edhe pse në esencë ky është një vendim arbitrar dhe i palogjikshëm, vendimet e gjyqësorit janë të shenjta dhe të padiskutueshme”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se edhe pse nuk do të jetë zyrtarisht kandidat për kryetar të Prishtinës, dëshira dhe angazhimi i tij për qytetarët e Prishtinës është edhe më i madh. “Unë do t’ju qëndroj besnik dhe do t’i mbështes në çdo hap të gjithë kandidatët e listës sonë për kuvendin komunal, e në veçanti kandidatin e subjektit tim AKR-së për kryetar të Prishtinës”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se do ta vazhdojë angazhimin e tij për kryeqytetin.

“Do të vazhdojë implementimin e të gjitha projekteve të planifikuara për këtë mandat, dhe projektet e parapara për mandatin vijues, e që janë jetike për qytetin tonë”, është shprehur Selim Pacolli, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Juventusit, Max Allegri ka konfirmuar se Cristiano Ronaldo…