Selim Pacolli: Prishtina ka nevojë për mbështetje të projekteve infrastrukturore
Zëvendësministri i Infrastrukturës (MI), Rexhep Kadriu, ka pritur në takim një delegacion nga komuna e Prishtinës, i kryesuar nga nënkryetari i kësaj komune, Selim Pacolli.
Në këtë takim, Kadriu e Pacolli kanë biseduar për projektet infrastrukturore që janë duke u realizuar nga dy nivelet e qeverisjes, të cilat kanë ndikim të madh në dinamikën e jetës së qytetarëve të kryeqytetit, e sidomos në qarkullimin e lirë.
Fillimisht, zëvendësministri Kadriu ka thënë se bashkëpunimi i MI-së me komunën e Prishtinës është në funksion të harmonizimit të projekteve.
Ai ka premtuar se Ministria e Infrastrukturës do ta mbështesë komunën e Prishtinës për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore.
“Sot po bisedojmë për zgjerimin e ‘Veternikut’, kyçja e rrugës ‘A’ me nënkalim që i lidhë dy lagjet, atë ‘Kalabria’ me pjesën tjetër të qytetit, unazën e brendshme dhe tri projekte të tjera që do ta lidhin Prishtinën me zonat rurale”, ka thënë zëvendësministri Kadriu.
Ndërsa, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për mbështetje në projektet e mëdha infrastrukturore.
Në këtë kontekst, Pacolli ka thënë se kjo komunë do të jetë e hapur për bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, në mënyrë që projektet infrastrukturore të jenë të harmonizuara ndërmjet vete.