Selimi: Dallimet tona politike nuk mund të përdorën kundër nesh si fakte juridike, jemi bashkëluftëtarë
Rexhep Selimi ka marrë fjalën në seancën e sotme të gjykimit ku përsëriti se është i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ai tha se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia, duke shtuar se dallimet politike me të akuzuarit e tjerë s’duhet të shërbejnë si fakte juridike.
“Gjithmonë kam thënë dhe e përsëris. Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Dallimet dhe opinionet mes nesh nuk duhet të përdorën si fakte juridike, e po ashtu kundër neve të bashkakuzuarve. Kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm. Unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi”, ka theksuar Selimi.
Selimi tha se në atë kohë donin që UÇK-ja të ishte një ushtri e armatosur mirë dhe e organizuar, por se këtë s’arritën ta bëjnë.
“Ishim të dobët, të paunifromuar dhe të paorganizuar. Mbetem luftëtarë pa komandant [Adem Jashari]. Disa ranë duke luftuar, e disa e mbijetuam luftën deri në përfundimin e saj. Donim ta kishim një ushtri të armatosur mirë, donim, por s’mundëm. Donim ta mundnim Serbinë, por s’mundëm pa ndihmën e shteteve tjera. U munduam për ta bërë këtë për të mbijetuar në vendin ku kishim lindur. S’kishim kazerma, por kishim shtëpi të familjeve. S’kishim akademi ushtarake. S’kishim uniforma. Disa i blenim disa i ngjyrosim vetë që të dukeshim si ushtarë. Rrobat e punëtorëve që të dukeshin si rroba të ushtarëve”, ka thënë Selimi.
Selimi tha se UÇK-ja nuk i ishte përgjigjur Serbisë në të njëjtën mënyrë siç ajo kishte bërë në Kosovë, derisa shtoi se luftën nuk do ta zgjedhte as si profesion as si pasion, por i erdhi e imponuar pas brutalitetit serb mbi shqiptarë.
“Lufta s’është e mirë asnjëherë e as për askënd”.
Në dhomën e gjykimit, Selimi foli edhe për rininë e tij dhe vendimin që mori për t’iu bashkuar UÇK-së.