Selimi: E kam lexuar aktakuzën, jam i pafajshëm
Ish-drejtuesi i UÇK-së dhe ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, ka thënë se e ka lexuar tërësisht aktakuzën e re, të ndryshuar, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përpiluar kundër tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së dhe e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale më 29 prill.
“Po, e kam marrë aktakuzën dhe e kam lexuar në tërësi”, është përgjigjur Selimi, kur gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur nëse i ka lexuar dhe kuptuar akuzat e reja.
Pas kësaj, gjykatësi ka urdhëruar leximin e akuzave të reja.
Selimit i është dhënë fjala sërish, dhe ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet.
“Natyrisht që i kam lexuar dhe i kam kuptuar, dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet e as me akuzat të prezantuara në këtë aktakuzë”, ka thënë ai.
Selimi i ka thënë gjykatësit se i kupton të gjitha të drejtat që gjykata ia afron atij, duke thënë se është plotësisht i pafajshëm. “I nderuar gjykatës, më lejoni të deklarohem i pafajshëm, sikur në të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë Selimi kur gjykatësi ia ka dhënë fjalën për ta deklaruar pafajësinë, nëse dëshiron.