Selimi e quan gënjeshtër deklaratën e Veselit: Nuk i çuam mësit PDK-së
Vetëm një javë më parë, kryetari i PDK-së Kadri Veseli në Rubikon përballë Adriatik Kelmendit tha se “Lëvizja Vetëvendosje i kishte dërguar mësit për bashkëpunim”.
Një deklaratë të tillë, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes po në Rubikon e ka cilësuar “gënjeshtër”.
“Ne nuk i kemi çuar mësit. Është gënjeshtër. Nuk do të doja t’iu përgjigjesha fare”.
“Nuk është çështje mësitnish kjo dhe raporti mes subjekteve politike, pavarësisht oponencave, nuk duhet të jetë i tillë. Lëvizja Vetëvendosje nuk përfaqëson mendësi të tillë në politikë”.
Ai ka thënë se PDK-ja po mundohet ta nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje sikur dëshiron që të bashkëpunojë me ta.
“Kemi plot arsye që të mos bashkëpunojmë me ata, për shkak të kaluarës dhe pozicionit të tyre politik. Ne nuk kemi si të bashkëpunojmë me ta për këto dy arsye kryesore dhe të tjera”.
“Edhe sot në Kuvendin e Kosovës e formuluan një fjali sikur ne po kërkojmë paqe. Unë u detyrova t’i them se ‘Kush po të pyet?’ dhe ‘Kush po të kërkon paqe?’. Ne nuk po kërkojmë paqe politike me PDK-në, sepse ne, ashtu si edhe qytetarët e Kosovës, e dimë shumë mirë kush është PDK-ja. PDK-ja, për fat të keq, vazhdon të jetë e njëjta dhe ne jemi të detyruar ta kemi qëndrimin e njëjtë për ta”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Rexhep Selimi ka thënë se nuk pret një bashkëpunim me PDK-në, ndonëse janë bashkë në opozitë.
“Për fat të keq nuk pres bashkëpunim të PDK-së me ne, sepse PDK-ja duket që e ka zgjedhur se me kë do të bashkëpunojë gjatë këtij mandati – që është as mazhorancë dhe as opozitë. Që nga mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti dhe bashkëpunimi në vazhdimësi me qeverinë ilegale nuk na është lënë ta përcaktojmë neve nëse do të bashkëpunojmë ose jo me PDK-në – ndonëse do ta zgjidhnim këtë të dytën sërish – por, vetë PDK-ja është rreshtuar në anën e mbrojtjes de facto të qeverisë së krijuar nga Hashim Thaçi”, ka thënë Selimi.