Selimi i AAK-së i reagon ashpër Bislimit: “Arkivat e UÇK-së” janë shpikje e Beogradit
Edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi, ka reaguar ndaj deklaratës se zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ka thënë se gjatë takimit në Bruksel pala serbe është pajtuar që të hapën arkivat, duke përfshirë edhe ato të UÇK-së.
Selimi i ka thënë Bislimit se “arkivat e UÇK-së” janë shpikje e Beogradit.
“‘Arkivat e UÇK-së’ janë shpikje e Beogradit dhe prodhohen atje për të ushqyer propagandën antishqiptare dhe mekanizmat politik që janë krijuar nga eksponentët e afërt me Serbinë. Këtë deklaratë skandaloze e përcjell me fjalën “reciprocitet” për targa. Ky është gjithçka pos reciprocitet. Qytetarët serbë të Kosovës tashmë kanë nga dy palë targa dhe kalojnë pa problem në Serbi”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Selimit:
Tashmë është bërë e njohur se sa herë që kjo qeveri dëshiron të kamuflojë koncesionet që i bëjnë me Serbinë dalin me fjalën “reciprocitet”.
Zv. Kryeministri Bislimi sot paska deklaruar për hapjen e arkivave. Paska kërkuar që të hapen “arkivat e UÇK-së”. Prej qëndrimit “nuk ulemi me Serbinë pa kërkuar falje” tash kjo Qeveri është në pozicionin e fabrikimit dashakeq ku e krijon një çështje antikombëtare dhe të njëjtën ja jep Serbisë dhuratë.
“Arkivat e UÇK-së” janë shpikje e Beogradit dhe prodhohen atje për të ushqyer propagandën antishqiptare dhe mekanizmat politik që janë krijuar nga eksponentët e afërt me Serbinë.
Këtë deklaratë skandaloze e përcjell me fjalën “reciprocitet” për targa. Ky është gjithçka pos reciprocitet. Qytetarët serbë të Kosovës tashmë kanë nga dy palë targa dhe kalojnë pa problem në Serbi. Në anën tjetër shqiptarëve të Luginës me targa VR, BU dhe LE të Serbisë do t’ju pamundësohet qarkullimi i lirë në Kosovë.
Nuk e di a është amatorizëm apo strategji dashakeqe. Nuk e di si mundet kryenegociatori të negociojë me ritëm të përcaktuar nga Vuçiq dhe Lajçak duke bërë koncesione që dëmtojnë Kosovën dhe shqiptarët e Luginës.
I nderuar zëvendëskryeministër, të lutem, kthe në tavolinë ShBA-në. Ik nga dialogu teknik i BE-së se është konsumuar tashmë. Mos lejo tema të cilat gatuhen mjeshtërisht për të na mbajtur peng.