Selimi i AAK-së: Një ‘armatë’ ekspertësh përgatiti pozicionin e Kosovës karshi Serbisë në Uashington
Ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Selim Selimi, ka folur të enjten për takimin e 4 shtatorit, i cili do të mbahet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Në një konferencë për medie, Selimi ka konfirmuar se ai do të jetë pjesë e takimit, pasi është i propozuari i partisë së tij për delegacionin që do të udhëtojë për në Shtëpinë e Bardhë.
Selimi ka bërë me dije se përbërja e këtij delegacioni pritet të bëhet publike nesër nga kryeministri Avdullah Hoti.
“Listën e delegacionin e cakton kryeministri Hoti, presim që sot ose nesër të bëhet e ditur. Prej AAK-së, unë jam i propozuar që të jem pjesë”, është shprehur Selimi.
Sipas tij, është një numër i madh i ekspertësh që ka përgatitur pozicionet e Kosovës karshi Serbisë.
“Delegacioni është i përgatitur, pasi ekziston një armatë ekspertësh që kanë kontribuar në përgatitjen e pozicioneve tona karshi Serbisë”, ka thënë Selimi, duke shtruar se pozicioni i Kosovës është i qartë, se në dialog shkohet vetëm për njohje reciproke.