Selimi: Duhet të ndalët Thaçi që të shpëtojë Kosova
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një konferencë për medie ka folur në lidhje me incizimet e publikuara ku dëgjohet kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev teksa flet për planet e fshehta për ndarje të Kosovës.
“Në këto biseda të bëra në vjeshtën e vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019, Zaevi shpreh shqetësimin e drejtpërdrejtë se presidenti i Kosovës, përmes planit për copëtim të Kosovës e ndryshim të kufijve, po vepron sipas skenarit të Moskës”, ka thënë Selimi.
Ai ka thënë se pavarësisht se ka me dhjetëra vendime e veprime të Thaçit në dëm të Kosovës ajo që është dëgjuar nga kryeministri Zaev, është tejet shqetësuese.
“Thaçi duke mashtruar popullin e Kosovës, duke bërë marrëveshje të fshehta, duke i ndërruar fjalët, po vazhdon të shtyjë përpara planin e Moskës për Kosovën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese fatmirësisht e ndal shprehimisht Thaçin prej vazhdimit të një dialogu të tillë, por duket se kjo nuk do të mjaftojë. Këtë njeri duhet ta ndalim që të shpëtojë Kosova. Një njeri i shantazhuar me dosje të reja e të vjetra nga Serbia nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në raport me Serbinë”, është shprehur Selimi.
Në këtë kontekst, Selimi ka thënë se Thaçi në relacion me Serbinë ka edhe konflikt interesi.
“Si i shantazhuar nga Serbia ai po vepron në interes të Serbisë, edhe nëse eventualisht nuk do ta dëshironte një gjë të tillë. Prandaj atij duhet t’i ndalohej ta përfaqësonte Kosovën, aq më tepër në raport me Serbinë. Ekzistojnë kushtet që planet e Thaçit me qarqet serbo-ruse të metastazojnë aq më tepër kur tash në Kosovë kemi një qeveri të paaftë dhe të korruptuar dhe kur Parlamenti ka dalë jashtë funksionit dhe praktikisht nuk ekziston”, ka deklaruar Selimi.
Më tutje, Selimi ka thënë se pavarësisht deklaratave të Zaevit, nuk presin që Thaçi të jap dorëheqje.
“Ai nuk jep dorëheqje as kur kapet në skandale, as kur kapet në shkelje të Kushtetutës e as kur kapet në tradhti ndaj interesave kombëtare. Njerëz të tillë që kanë në plan këso pazare nuk japin dorëheqje asnjëherë. Tash kur botërisht ai po njihet si njeri i Rusisë. Kosova nuk e ka luksin të mbajë në krye një njeri të tillë. Zgjedhjet e menjëhershme janë porta drejtë zgjidhjes. Ne i bëjmë thirrje forcave politike që sa më parë të çojmë vendin në zgjedhje prej nga do të krijoheshin kushtet që ky president të largohej. Sa më parë që të shkojmë në zgjedhje aq më mirë për Kosovën ndaj së cilës tashmë ka plane të këqija e të fshehta. Kosovës i duhet një Kuvend tjetër dhe një tjetër qeveri që do ta merrte përsipër mbrojtjen e vendit nga planet serbo-ruse të Thaçit dhe që do të hetonte veprimtarinë e tij antishtetërore”, është shprehur Selimi.
/Epoka e re/