Selimi: Jam nismëtar i sukseseve te Feronikelit

29 maj 2019 | 12:12

Musa Selimi për “Epokën e re” ka thënë se ai është nismëtar i sukseseve të Feronikelit në futbollin e Kosovës. Trajneri gjilanas e ka drejtuar skuadrën nga Drenasi në edicionin 2011/2012, kur kjo skuadër e siguroi inkuadrimin në Superligë. Aktualisht “Nikli” është ndër skuadrat më të trofeshme në futbollin e Kosovës, kurse sivjet do të marrë pjesë në garën e Ligës së Kampionëve.

KF Feronikeli, pas triumfit në kampionat dhe kupë, ka hyrë në mesin e tri klubeve më të trofeshme në futbollin e Kosovës. Rezultatet dhe organizimi i mirëfilltë i kësaj skuadre filloi në vitin 2011/2012, kur edhe u inkuadrua në Superligën e Kosovës, për çka merita të mëdha ka trajneri i atëhershëm, Musa Selimi.

I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, Musa Selimi kujton kohën kur e mori drejtimi e këtij klubi, i cili për pak vite do të shndërrohej ndër më të mirët në vend. “Më kujtohet shumë mirë koha kur e kam marrë drejtimin e Feronikelit në vitin 2011, pra aty filloi një revolucion në këtë klub me mbështetje nga Komuna e Drenasit dhe donatorët e ndryshëm. Si trajner i kësaj skuadre jam munduar me përkushtim ta bëj punën time edhe jashtë asaj që i përket një trajneri dhe në edicionin 2011/2012 kemi qenë në vend të parë nga fillimi e gjerë në fund ku edhe siguruam inkuadrimin në Superligë. Po ashtu, gjatë kësaj kohe kemi punuar shumë edhe në organizim të klubit, ku kemi themeluar edhe tifozët ‘Tigrat e Zi’”, ka thënë Selimi, i cili krenohet për sukseset që po arrin skuadra nga Drenasi në futbollin e Kosovës.

Madje “Profa” beson se “Nikli” do të ketë suksese edhe në arenën ndërkombëtare. “Sukseset e skuadrës dhe organizmi ka shkuar çdo vit duke u përmirësuar, por bazamenti i një klubi profesional është bërë në kohën kur unë isha trajner. Jam krenar për sukseset që ka arritur ky klub dhe besoj se këto nuk do të mungojnë edhe në vitet në vazhdim. Pres që Feronikeli të ketë paraqitje dinjitoze në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve”, ka shtuar Selimi.

Trajneri gjilanas që aktualisht është dekan në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit, e vlerëson kohë e kaluar në skuadrën e “Niklit” si ndër më të mirët në karrierën e tij si trajner. “Koha sa isha pjesë e Feronikelit është ndër kujtimet e mia më të mira, pa harruar edhe kohën kur me Gjilanin e kam fituar Kupën dhe Superkupën”, ka përfunduar Selimi.

 

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar se…