Selimi: Kemi kërkuar nga Maqedonia e Veriut ekstradimin e grupit të Kumanovës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla, i ka parashtruar një pyetje parlamentare ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me të akuzuarit e grupit të Kumanovës që janë nga Kosova.
Syla e ka pyetur Selimin nëse po shikohet mundësia që në marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, shtetasit kosovarë të sillen në Kosovë.
Me këtë rast, Selimi ka thënë se ka vendosur kontakte me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut, Renata Destovska, me të cilën ka diskutuar për situatën e këtyre shtetasve të Kosovës.
“Me të marrë detyrën si ministër i Drejtësisë kam vendosur kontakte me ministren e Drejtësisë, zonjën Renata Destovksa, kemi diskutuar edhe për shqiptarët e Kosovës që ndodhen në shërbimet korrekutuese të Maqedonisë së Veriut. Me sa kemi ne informacione kjo çështje është në procedurë të ankimimit”, ka thënë Selimi.
I pari i Drejtësisë në Kosovë ka theksuar se ministres maqedonase i ka shprehur vullnetin që Kosova të lidhë marrëveshje ekstradimi për kosovarët me shtetin maqedonas.
“I kam thënë që shteti i Kosovës është i gatshëm të lidhë marrëveshje ekstradimi me shtetin maqedonas, kurdo që kjo çështje të marr epilog. Pra marrëveshja e ekstradimit mund të ndodh kur rasti të marr epilog përfundimtar. Kemi marrë garanci se drejtësia nuk do të jetë diskriminuese”, është shprehur Selimi.