Selimi kërkon përgjegjësi për skandalet e fundit në IPK
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, nga foltorja e Kuvendit ka ngritur çështjen e skandaleve në Inspektoratin e Policinë e Kosovës (IPK).
Ai ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, duhet të merr masa ndaj drejtorit të përgjithshëm të policisë duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore për gjendjen në Policinë e Kosovës.
Selimi ka thënë se IPK-ja dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike janë diskredituar deri në themel për shkak të krerëve të instaluar në këto institucione.
“Tashmë është gjithçka e qartë, në një vend ku kryeprokurori i Shtetit kapet si falsifikator i provimit të jurispodences, ku drejtori i Departamentit të Hetimeve të Krimeve Ekonomike rrah drejtorin e institucioni publik (Agron Mustafa) në mes të Prishtinës dhe nuk suspendohet. Në një vend ku shohim në medie qindra mijëra euro duke u numëruar në llogari të oficerëve të lartë të Policisë së Kosovës dhe nuk suspendohet protagonisti, në një vend ku dëgjojmë në medie skandale sikur ai i kryeshefit të IPK-së duke i kërcënuar vartësit e tij për të kryer punësime të paligjshme, e në fund të gjithë këta rezulton të jenë në bashkëveprim dhe në mbrojtje të njëri-tjetrit, atëherë s’kemi se si ta quajmë këtë ndryshe përveçse një rrjet i sofistikuar i krimit të organizuar që ka kapur mekanizmat vitale të shtetit. Kështu pra duket shteti i kapur. Kjo nuk është një fantazi”, ka thënë Selimi.
Deputeti Selimi ka kërkuar të shkarkohet kushdo që është përfshirë në vepra të tilla, në mënyrë që Prokurorisë t’i jepet rrugë për hetim.
Ndaj këtyre çështjeve të ngritura është përgjigjur ministri i MPB-së, Flamur Sefaj, e cili ka thënë se është duke punuar në bazë të përgjegjësive që ia jep ligji.