Selimi kërkon vetting në AKI dhe polici
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kërkuar që të zhvillohet një proces i thellë hetimi, jo vetëm në institucionet e drejtësisë, por edhe në Policinë e Kosovës dhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Këto kërkesë deputeti Selimi e ka parashtruar të dielën në një konferencë për medie, derisa ka komentuar raportimet e fundit për rastin e djalit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili fillimisht dyshohej për posedim droge dhe armë, ndërsa më vonë Policia e Kosovës ka dalë me sqarime, ku ka theksuar se mjeti dhe substanca e dyshuar nuk i përkisnin atij.
“Vetëshkëputja dhe ndryshimi i deklaratave të Policisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e këtyre ndërhyrjeve të pushtetit në institucionet e drejtësisë. Sot qytetarët e Kosovës jetojnë në një ambient krejt të pasigurt për ta. Është ambient totalisht brenda kontrollit, jo brenda kontrollit të institucioneve të drejtësisë por brenda bandave mafioze”.
“Qytetari i Kosovës është totalisht i pambrojtur dhe nën mëshirën e kapësve të shtetit. Kosova ka nevojë jo vetëm për reformën në drejtësi, por sidomos tani ka nevojë për reforma në Policinë e Kosovës”, ka thënë Selimi.
Më tutje, Selimi ka thënë se Kosova ka nevojë për reforma jo vetëm në drejtësi, por edhe në polici dhe AKI.
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/312307146030197/