Selimi: Kjo qeveri duhet të pengohet, e ka pozicionuar Kosovën të pabarabartë përballë Serbisë
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk mund të ftohen për dialog nga një qeveri, e cila me heqjen e reciprocitetit e ka pozicionuar Kosovën të pabarabartë përballë Serbisë.
Selimi ka thënë se thirrja nuk është për dialog, por është pajtim për një marrëveshje të rëndë për Kosovën.
“Vetë fakti që ne të shkojmë në dialog me Serbinë duke e pozicionuar automatikisht Kosovës si të pabarabartë, pra duke hequr masat, ne tregojmë se hapat e kësaj qeverie janë të njëjtë siç kanë qenë të Thaçit e aq më tepër kur dihet përcaktues për formimin e kësaj qeveri ka qenë vetë presidenti Thaçi”, ka thënë Selimi, i cili ka komentuar edhe deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në lidhje me dhunën që mund të shfaqet nga tubimet e LV-së.
“Është një rutinë e shumë ambasadave që thërrasin qytetarët e vet se aty ku ka tubime qoftë edhe festime të jenë të njoftuar dhe asgjë më tepër nuk është se sa një njoftim që i bënë qytetarëve të vet që në datë të caktuar do të ketë tubim”
“Kjo nuk mund të përdoret nga askush si kundërshtim sepse tek e fundit kanë të drejtë të mblidhen, duke respektuar edhe rregullat dhe të shënojnë përvjetorin e çlirimit të vendit. Po ashtu edhe simpatizantët e LV-së kanë të drejtë të mblidhen dhe të shënojnë 15-vjetorin dhe kjo nuk është protestë, por edhe të ishte protestë nuk është dhunë”, ka thënë Selimi në një prononcim për medie.