Selimi: Kualifikueset ishin pozitive për Kosovën, në Evropian nga Liga e Kombeve
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk arriti ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian nëpërmjet kualifikimeve, por trajneri Musa Selimi ka shprehur optimizëm se “dardanët” mund të kualifikohen në “Euro 2020” nga Liga e Kombeve.
Trajneri dhe analisti i futbollit në Kosovë, Musa Selimi, për “Epokën e re” ka thënë se duhet që të gjithë futbolldashësit të pajtohen me humbjen e “dardanëve” në ndeshjen kualifikuese kundër Çekisë (2-1). Sipas tij, çekët e kanë merituar më shumë fitoren në këtë ndeshje sepse kanë luajtur më mirë se Kosova.
“Ka qenë një dëshirë e madhe e Kosovës që të arrijë fitore në ndeshjen ndaj Çekisë, por dëshira nuk mjafton gjithmonë që të arrihet synimi. Duke u bazuar në lojën e zhvilluar nga të dyja palët, mund të them se çekët me meritë kanë shënuar fitore. Ne duhet të pajtohemi me këtë humbje dhe të vazhdojmë t’i mbështesim yjet tanë në secilën lojën në të ardhmen. Pavarësisht prej humbjes në ndeshjen e fundit, futbollistët na bënë krenarë me atë që kanë treguar në vitet e fundit, por edhe me të arriturat”, ka thënë Selimi. “Nëse u bëjmë analizë të gjitha ndeshjeve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese mund t’i vlerësojmë si të suksesshme. Kjo ishte hera e parë që ne ishim pjesë e kësaj faze dhe kemi arritur rezultate mbresëlënëse, por edhe paraqitje superiore. Kemi lënë përshtypje të mira dhe kemi marrë vëmendjen e medieve botërore”, ka shtuar Selimi.
Ish-trajneri i shumë klubeve në Kosovë, përfshirë Gjilanin, Dritën e Feronikelin, Musa Selimi, ka shprehur optimizëm se Kosova mund ta arrijë kualifikimin nëpërmjet ndeshjeve në Ligën e Kombeve. “Dardanët” në muajin mars do të përballen në gjysmëfinale kundër Maqedonisë në Shkup dhe nëse arrijnë fitore në finale do të luajnë kundër fituesit të ndeshjes Gjeorgji-Bjellorusi.
“Humbja ndaj çekëve duhet të harrohet sa më parë dhe të fillojmë të mendojmë për të ardhmen, të punojmë edhe më shumë në mënyrë profesionale dhe të shkojmë sa më të përgatitur në ndeshjen e Ligës së Kombeve. Kemi shanse të mëdha që të kualifikohemi në Evropian që do të ishte një sukses historik për sportin dhe shtetin tonë”, ka deklaruar Selimi.
Në fund, Selimi ka vlerësuar lart edhe punën e përzgjedhësit Bernard Challandes. “Trajneri Bernard Challandes ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe duhet që me bashkëpunëtorët të vazhdojë të ngritë edhe më lart lojën e Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po dëshmon potencial”, ka përfunduar Selimi.
/Veton ZYMBERI/