Selimi: Luftën e kam nisur me Adem Jasharin, e kam përfunduar me gjeneralin Clark
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për luftën e UÇK-së në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale.
Selimi ka thënë se kërkon drejtësi dhe se kjo duhet të jetë qëllimi i kësaj gjykate.
Ai para trupit gjykues ka thënë se luftën çlirimtare e ka nisur me komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe e ka përfunduar me komandantin e NATO-s, gjeneralin Wesley Clark.
“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim. Prandaj unë e kam bërë vetëm detyrën time. Unë jam veç një çlirimtar që luftën e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kam përfunduar me gjeneralin Clark… Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta, duhet të jetë qëllimi i të gjithëve këtu, ashtu siç do të jetë qëllimi im parësor në këtë proces”, ka thënë Selimi, duke e quajtur aktakuzën të pabazë dhe të padrejtë.