Selimi: NATO-ja në një konferencë konfidenciale ka implikuar shtetin e Serbisë për sulmin terrorist në Banjë
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, përmes një postimi në platformën sociale “X”, ka theksuar se NATO në një konferencë konfidenciale, ka vënë në dukje rolin e padiskutueshme të shtetit të Serbisë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.
Ashtu si NATO-ja, edhe Bashkimi Evropian, sipas Selimit, duhet të veprojë njëjtë dhe të implikojë Serbinë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Është shumë e rëndësishme për konkluzionet e Këshillit emërtimi i autorëve të sulmit terrorist në Banjë. Në një konferencë konfidenciale NATO-ja tashmë vuri në dukje rolin e padiskutueshëm të Serbisë. Le të shohim nëse BE-ja gjen konsensus”, ka shkruar Selimi.
Next days the battle for Balkan narratives unfolds in Brussels. Very important for Council conclusions to “name and shame” perpetrators of Banjskë terrorist attack. A confidential briefing in @NATO already pointed at Serbia’s undisputed role. Let’s see if EU finds consensus.
— Petrit Selimi (@Petrit) December 5, 2023
Liderët evropianë në takimet që priten të mbahen në mes të këtij muaji, përkatësisht më 13, 14 dhe 15 dhjetor në Bruksel do t’i miratojnë konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbutja e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sundimi i ligjit e lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, priten të jenë ndër pikat kryesore të konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.
Këshilli i BE-së do të shpreh shqetësimin për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, përfshirë situatën e brishtë të sigurisë, lirinë e shprehjes dhe kufizimin e pluralizmit në pjesën veriore të Kosovës.
“Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikurse edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së, ka transmetuar “Radio Evropa e Lirë” të martën e 5 dhjetorit.