
Selimi: Në veri po vazhdon përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç ka thënë lënien në dorë të Listës Serbe fatin e shqiptarëve të fshatrave në veri të Kosovës.
Selimi ka thënë se në veri është duke u bërë spastrim etnik dhe ndryshim i dhunshëm i demografisë.
“Meqë më rastisi me fol pas përfaqësuesit të qeverisë, po me bie me treguar që ja çfarë keni bërë për shqiptarët atje. Fatin e shqiptarëve në fshatrat veriore e keni lanë në dorën e Listës Serbe që na tregon neve çka kanë bërë për shqiptarët atje. Që ku i keni, që ku e keni lënë fatin e tyre”.
“Në veri të Kosovës po vazhdon ende dhuna dhe përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. E ata që u përzunë nuk po lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Në Veri po vazhdon zbatimi i dhunshëm i ndryshimit demografik me anë të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve dhe me anë të kolonizimit, me kolonë serbë të ardhur nga Serbia”, ka thënë Selimi në Kuvendin e Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë të intervenojnë menjëherë për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe sovranitetin e vendit.