Selimi: Po manipulohet me ushtrinë e Kosovës

26 prill 2018 | 14:30

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se prej vitit 2014 është duke u manipuluar me ushtrinë e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se përderisa Lista Serbe është determinuese në Kuvend dhe Qeveri, Kosova nuk do të ketë ushtri.

Selimi ka paralajmëruar një mbikëqyrje më dinamike ndaj Ligjit për FSK-në, duke thënë se konstatimi i Raportit të Progresit ka qenë me vend meqë nuk ka pasur mbikëqyrje të mjaftueshme për FSK-në. Ai ka folur edhe për mbikëqyrjen parlamentare për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin, me ç’rast ka bërë me dije se kanë hasur në probleme shumë të mëdha.

“Pas një dinamike shumë të madhe si komision do të dalim me rekomandime për seancë plenare. Problemet janë shumë më të mëdha brenda këtyre institucioneve sesa ne kemi mundur ta kemi një perceptim nga jashtë. Pra, si rezultat i mbikëqyrjes sonë kemi arritur t’i identifikojmë shumë probleme. Në bazë të kompetencave dhe mandatit si deputetë ne do t’i drejtohemi me rekomandime seancës plenare, por nuk është çudi t’i drejtohemi edhe prokurorisë nëse hasim në diçka që është lëndë për prokurorinë”, është shprehur Selimi, duke shtuar se rekomandimet mund të mos zbatohen nëse i referohemi së kaluarës.

Ai ka thënë se sigurinë në Kosovë dhe në rajon vazhdon ta kërcënojë qasja e Serbisë karshi fqinjëve. “Sfida kryesore për sigurinë në vend mbetet qasja dhe politika e Serbisë të cilat nuk dallojnë nga sistemi i Millosheviqit. Serbia nuk na kërcënon vetëm nga jashtë, pra nga Beogradi, por na kërcënon edhe nga Mitrovica, edhe nga Prishtina dhe, jo rrallëherë, edhe nga Kuvendi i Kosovës përmes Listës Serbe”, është shprehur Selimi.

“Epoka e re”: Z. Selimi, Raporti i Progresit ka pasur vërejtje për mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe për këtë ka kritikuar Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë. Pse po mungon mbikëqyrja parlamentare për FSK-në?
Selimi: Është e vërtetë se Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë nuk ka mbikëqyrur mjaftueshëm FSK-në, pra aq sa ka mbikëqyrur institucionet e tjera të sigurisë. Kjo nuk ka ndodhur as për fajin e komisionit e as të FSK-së, por për shkak se mbikëqyrjet në Policinë e Kosovës dhe në Inspektorat të Policisë kanë qenë si pasojë jo rrallëherë e skandaleve. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet ta mbikëqyrim edhe më shumë FSK-në, madje ka ndodhur mbikëqyrje e herëpashershme nëse u referohemi dëgjimeve të komandantit të FSK-së, të ministrit të FSK-së si dhe vizitave. Megjithatë, është e vërtetë se grup punues për mbikëqyrjen e FSK-së nuk ka pasur në legjislaturën e kaluar. Në mbledhjen e së martës të komisionit kemi shqyrtuar Raportin e Progresit dhe kemi konstatuar se me të drejtë ky raport ka thënë se nuk ka pasur mbikëqyrje të FSK-së. Prandaj, kemi ndërmarrë hapat e menjëhershëm për të formuar grup punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për FSK-në. Besoj se brenda sesionit pranveror do të kemi një mbikëqyrje të Ligjit për FSK-në.

“Epoka e re”: Tash e tutje do të ketë dinamikë më të madhe të mbikëqyrjes?
Selimi: Mbikëqyrjen e FSK-së e kemi në planin e veprimit të komisionit për këtë vit. Krejt çfarë mund të ndodhë është shpejtimi i dinamikës së mbikëqyrjes. Konstatimi i Raportit të Progresit ka qenë me vend sepse nuk ka pasur për një kohë të gjatë grupe mbikëqyrëse të zbatimit Ligjit për FSK-në.

“Epoka e re”: Si është gjendja e mbikëqyrjes parlamentare tek institucionet e tjera të sigurisë?
Selimi: Aktualisht jemi në dinamikën më të lartë të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit të Inspektoratit të Policisë së Kosovës. Këtë mbikëqyrje jemi duke e bërë me shkas, pra si pasojë e skandaleve që kanë plasur në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin e Policisë. Po mbikëqyrim ngjarjet që kanë ndodhur referuar policisë dhe inspektoratit, respektivisht skandalit të procesit të rekrutimit të një konkursi në Inspektorat, përfshirjes së zyrtarëve policorë në rrahje në Prishtinë, po ashtu edhe bashkëveprimit të policisë, inspektoratit dhe prokurorisë me këto raste.

“Epoka e re”: Cilat janë rezultatet e arritura në këtë drejtim?
Selimi: Është herët të flasim për rezultate, por mund të them se atje kemi hasur në probleme shumë më të mëdha sesa kemi menduar paraprakisht. Rezultatet apo gjetjet nuk mund t’i ndajmë me mediet pa e përfunduar procesin e mbikëqyrjes. Deri më tani i kemi thirrur në dëgjim 13 zyrtarë të Inspektoratit dhe në ditët në vijim do të thirren së paku edhe pesë zyrtarë të tjerë. Do t’i konsultojmë edhe institucionet ndërkombëtare që kanë mbështetur Inspektoratin deri më tash dhe organizatat e tjera joqeveritare. Pas një dinamike shumë të madhe si komision do të dalim me rekomandime për seancë plenare. Problemet janë shumë më të mëdha brenda këtyre institucioneve sesa ne kemi mundur ta kemi një perceptim nga jashtë. Pra, si rezultat i mbikëqyrjes sonë kemi arritur t’i identifikojmë shumë probleme. Në bazë të kompetencave dhe mandatit si deputetë ne do t’i drejtohemi me rekomandime seancës plenare, por nuk është çudi që t’i drejtohemi edhe prokurorisë nëse hasim në diçka që është lëndë për prokurorinë.

“Epoka e re”: Mund të ketë punë edhe prokuroria në këtë proces?
Selimi: Atë çfarë po shohim dhe po gjejmë atje, duket nuk do të ketë punë vetëm shqyrtimi i seancës plenare, por edhe prokuroria.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej këtyre skandaleve, Policia e Kosovës dhe FSK-ja vazhdojnë të jenë institucionet më të besueshme nga qytetarët.
Selimi: Policia e Kosovës dhe FSK-ja ende janë institucionet më kredibile në shoqëri. Kur flasim për problemet brenda këtyre dy institucioneve duhet bërë ndarja në mes të institucioneve dhe atyre që punojnë me përkushtim, në anën tjetër atë të disa zyrtarëve të cilët me veprime të lokalizuara kanë bërë që të lëndohen kredibiliteti dhe besueshmëria e institucioneve. Pra, kur të flasim për problemet dhe për individë të caktuar, nuk flasim për të gjithë ata policë e ushtarë të cilët po vazhdojnë të punojnë me përkushtim. FSK-ja dhe Policia e Kosovës nuk janë sikur ata që rrahin rrugëve zyrtarë të postës apo sikur ata që intervenojnë për konkurs. Policët dhe ushtarët e Kosovës janë njerëz të përkushtuar dhe këtu bëjnë pjesë shumica. Ne kemi arritur ta ndajmë me një vijë të dukshme institucionin prej problemeve që kanë krijuar disa zyrtarë.

“Epoka e re”: Rritja e mbikëqyrjes parlamentare do të ndikojë në zvogëlimin e problemeve?
Selimi: Pas kësaj mbikëqyrje nuk pres të kemi probleme dhe ngecje në rrugën tonë parlamentare deri në votimin e rekomandimeve. Një hallkë ka pasur probleme gjithmonë në rrugën e mbikëqyrjes. Është hallka e zbatimit të rekomandimeve nga institucionet ligjzbatuese. Në të kaluarën ka pasur mbikëqyrje dhe Kuvendi ka miratuar rekomandimet e grupit punues, respektivisht komisionit, por ato nuk janë zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Epoka e re”: Ka rrezik që edhe tash rekomandimet të mos zbatohen?
Selimi: Nëse i referohemi së kaluarës kemi drojë se mund të mos zbatohen. Shumë prej rekomandimeve nuk janë zbatuar as sot e kësaj dite, ndonëse ato janë dhënë para pesë vjetëve në një seancë ku janë miratuar me përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare.

“Epoka e re”: Z. Selimi, si e komentoni procesin e transformimit të FSK-së?
Selimi: Në Kuvendin e Kosovës që katër vjet kanë ardhur rekomandimet apo propozim-amendamentet kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë në Forcë të Armatosur të Kosovës. Që nga viti 2014 qeveritë, herë e Thaçit, herë e Mustafës, tashti e Haradinajt, po vazhdojnë të luajnë pingpong me FSK-në. Kështu, prej vitit 2014 vetëm se është manipuluar me ushtrinë e Kosovës. Është luajtur me diçka që nuk duhet të luhet, me sigurinë e vendit. Kështu që, propozimet e tanishme për ndryshime ligjore kemi të drejtë t’i shohim me skepticizëm dhe dyshim referuar së kaluarës, kur qeveritë, njëra pas tjetrës, kanë vazhduar të manipulojnë me këtë çështje shumë të rëndësishme për Kosovën.

“Epoka e re”: Mund të zvarritet edhe më tutje ky proces, ndonëse liderët shtetërorë në vazhdimësi po thonë se transformimi i FSK-së do të ndodhë shpejt?
Selimi: Nuk do të ndodhë shumë shpejt. Edhe pse do të dëshiroja që ky proces të përfundojë shpejt, sepse në vazhdimësi u kemi dhënë përkrahje avancimeve ose rritjes së kapaciteteve ushtarake të Kosovës. Nuk kam besim se do të ndodhë meqë janë të njëjtat rrethana juridike dhe politike në Kosovë sikurse që kanë qenë para katër vjetësh. Nuk kanë ndryshuar këto rrethana në mënyrë që të kemi mundësi të bëjmë diçka. Aq më tepër nuk ka ndryshuar as vullneti i atyre që e përcaktojnë fatin e ushtrisë së Kosovës siç është Lista Serbe. Përderisa kemi Listën Serbe determinuese në Kuvend dhe Qeveri, Kosova nuk do të ketë ushtri. Ne e dimë se si do të vendosë Lista Serbe kur bëhet fjalë për shtetin, ushtrinë dhe sigurinë e Kosovës.

“Epoka e re”: Por liderët po shprehin optimizëm.
Selimi: Është optimizëm i rrejshëm sepse rrethanat dhe kushtet janë të njëjta siç kanë qenë edhe në të kaluarën.

“Epoka e re”: Cilat mendoni se janë sfida kryesore në fushën e sigurisë së Kosovës?
Selimi: Sigurinë në Kosovë dhe në rajon vazhdon ta kërcënojë qasja e Serbisë karshi fqinjëve. Pa një qasje të tillë të Serbisë në rajon do të kishte më shumë qetësi dhe më shumë paqe. Sfida kryesore për sigurinë në vend mbetet qasja dhe politika e Serbisë të cilat nuk dallojnë nga sistemi i Millosheviqit. Natyrisht se Kosova nuk është imune as ndaj problemeve të tjera globale siç është terrorizimi apo të tjera. Mirëpo problemi kryesor i sigurisë mbetet qasja e Serbisë ndaj Kosovës dhe mekanizmat e saj në vendin tonë. Serbia nuk na kërcënon vetëm nga jashtë, pra nga Beogradi, por na kërcënon edhe nga Mitrovica, edhe nga Prishtina dhe, jo rrallëherë, edhe nga Kuvendi i Kosovës përmes Listës Serbe.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e premte) zhvillohet ndeshja finale e turneut në futboll…