![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/10/selim-selimi-1.jpg)
Selimi prezanton Projektligjin për avokaturën shtetërore
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka prezantuar sot Projektligjin për avokaturën shtetërore.
Gjatë një konference për media, ai ka thënë se ky projekt është në fazën finale dhe shpejt do të dërgohet në Qeveri.
“Po e prezantojmë projektligjin për avokaturën shtetërore, i cili është në fazën finale dhe shpejt do dërgohet në Qeveri. Tri çështjet kryesore që lidhen me ligjin, e para ka të bëjë me atë se për herë të parë është vënë në plan të shtetit avokatura. Një çështje tjetër që parashihet me këtë ligj është obligimi për denoncimin e keqpërdorimeve. Me këtë normë do ta përçojmë mesazhin që çdo keqpërdorim do ta ketë edhe një mekanizëm shtesë. Po ashtu parashihet vlerësimi i riskut të draft-kontratës, ku përmes kësaj e kemi marrë për obligim që t’i analizojmë draft kontratat fillimisht, para se të lidhet kontrata”, ka thënë Selimi.
Avokati i shtetit, Sami Istrefi ka deklaruar se ka qenë e domosdoshme që Kosova ta ketë një draft ligj të tillë. “Do të rregullohet edhe një sektor i veçantë i arbitrazhit. Sepse kohëve të fundit është goditur Kosova në procesin e arbitrazhit. Me këtë projektligj do të plotësohet vakuumi institucional që ka qenë për vite të tëra”, ka theksuar ai.