Selimi: Republika e Kosovës fiton dy konteste në vlerë totale 2.8 milionë euro
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka mbajtur një konferencë për media, me ç’rast ka njoftuar opinionin publik se Republika e Kosovë, ka fituar dy konteste në vlerë totale 2.8 milionë euro, falë punës së Avokaturës Shtetërore, si agjenci e pavarur në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, raporton “Epoka e re”.
“Tani kemi pranuar Aktgjykimin nga departamenti ekonomik, ku është fituar një kontest në vlerë 1.8 milion euro, lëndë e përfaqësuar nga Avokate Ilire Tasholli Aydogan. Duke ditur se Avokatura Shtetërore përfaqëson edhe kontestet gjyqësore në Gjykatat Ndërkombëtare, që rast konkret kemi kontestin në Gjykatën e Vjenës , përfaqësuar nga Avokat Arsim Zuka rast i fituar me një vlerë monetare prej 1 milion euro”, ka thënë Selimi.
Ministri Selimi ka thënë se falë një pune intensive, institucioni i Avokatura Shtetërore po arrin të jetë i suksesshëm në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Prioritetet e mija si ministër i Drejtësisë me çka synoj që ta kemi një sistem të qëndrueshëm funksional dhe të pavarur në përfaqësimin e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, në procedurat gjyqësore, administrative si dhe në arbitrazh”, ka deklaruar ministri Selimi.
Ndërsa Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi ka thënë se gjatë muajve janar-tetor të vitit 2020, Avokatura Shtetërore ka mbrojtur një numër të madh të rasteve në gjykatat vendore, ku vlera e kontestit të fituar është 10 milion e 183 mijë euro.
“Të gjitha këto lëndë janë të fituara me vendimin e formës së prerë dhe kjo është një sukses jashtëzakonisht i madh”, ka bërë me dije avokati Istrefi.
Avokatura Shtetërore ka gjithsej 1935 lëndë të pranuara në vitin 2020, ku 462 prej tyre janë të fituara dhe 307 lëndë janë me ankesë në Gjykatën e Apelit, të tjerat janë në proces.