Selimi: Roli i shtetit shqiptar, i pazëvendësueshëm në avancimin e proceseve në vend
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Ministri Selimi gjatë këtij takimi ka vlerësuar angazhimin e ambasadorit Minxhozi si dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për vëmendjen dhe besnikërinë me të cilën ndër vite shteti shqiptar e ka shoqëruar Kosovën, raporton “Epoka e re”.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dypalësh, koordinimin dhe intensifikimin e aktiviteteve me interes për të dyja vendet, me qëllim të arritjes së objektivave të përcaktuara nga dy qeveritë.
Ministri Selimi po ashtu theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri, në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe çdo hallkë tjetër të sistemit të drejtësisë.
Me këtë rast ministri Selimi e ka njoftuar ambasadorin Minxhozi me ecurinë e reformave në drejtësi, agjendën legjislative si dhe nismat e tjera përfshirë procesin e llogaridhënies dhe vettingut.
Në anën tjetër ambasadori Minxhozi ka falënderuar ministrin Selimi për bashkëpunimin e ofruar dhe ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur çdo nismë e cila është në funksion të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.