Selimi: Sigurimi shëndetësor dhe rritja e pagave për policinë, çështje urgjente
Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, u ka bërë thirrje institucioneve që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për sigurim shëndetësor dhe jetësor të policëve. Ai ka thënë se në këtë aspekt Policia e Kosovës është më se keqi jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka bërë me dije se kufizimi i parasë publike në mallra dhe shërbime, si dhe riorganizimi i administratës, duke i hequr nga buxheti shumicën e agjencive të panevojshme, siguron mjete financiare për sigurim të policëve, ushtarëve dhe zjarrfikësve.
Ai ka kërkuar që sa më parë të miratohet Ligji për policinë i cili parasheh pensionimin e parakohshëm të policisë. Po ashtu, Selimi u ka bërë thirrje institucioneve t’i gjejnë mënyrat adekuate edhe për rritjen e pagave të policisë
“Epoka e re”: Z. Selimi, pas pesë ditëve të kërkimit, është gjetur trupi i pajetë i njërit prej dy policëve të rënë në lumin Lepenc. Si është menaxhuar nga organet përkatëse ky kërkim?
Selimi: Personalisht jam i kënaqur me mënyrën se si i janë qasur kësaj fatkeqësie organet kompetente dhe qytetarët vullnetarë. Ka pasur reagim dhe koordinim institucional e shtetëror. Reagimet kanë qenë në përputhje me kapacitetet dhe mundësitë që i kemi si shtet. Duhet të kuptojmë se nuk kemi përvojë në këtë lloj të fatkeqësisë, prandaj edhe mund të ketë të meta. Megjithatë, reagimi dhe koordinimi kanë qenë në rregull. Kushdo që mendon ndryshe, ose i mungojnë informacionet ose e bën nga dhimbja dhe dëshpërimi për aksidentin e ndodhur. Për aq sa kemi informacione, rënia e dy policëve në lumin Lepenc ishte aksident tragjik.
“Epoka e re”: Megjithatë, ka pasur deklarata të ndryshme që linin hapësirë për dyshime.
Selimi: Na mungojnë shumë informacione, por rasti është ende i hapur dhe hetimet janë duke vazhduar lidhur me rrethanat se si ka ndodhur aksidenti i policëve. Deri në përfundimin e hetimeve nuk mund të paragjykojmë dhe të nxjerrim përfundime profesionale. Deklarimet e ndryshme që kanë bërë janë në nivel spekulimesh, sepse pa përfunduar hetimet nuk mund ta konsiderojmë ndryshe, përveçse aksident me pasoja tragjike.
“Epoka e re”: Nuk ka pasur mundësi që gjetja e policëve të bëhet më shpejt?
Selimi: Sipas mendimit tim, në këto situata nuk mund të bëhet diçka më tepër.
“Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me kushtet në të cilat funksionon dhe vepron Policia e Kosovës?
Selimi: Sa i përket teknikës dhe teknologjisë së punës, gjendja është në nivel, pra ka buxhet dhe ka investime në pajisje. Problemi kryesor është mungesa e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për policët. Kjo e keqe na ka përcjellë tash e dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Në këtë aspekt, Policia e Kosovës është më se keqi jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Pra, sa i përket sigurimit të shëndetit dhe jetës së tyre, Policia e Kosovës është më se keqi në botë. Ky fakt duhet t’u shërbejë atyre që bëjnë politikë dhe marrin vendime që sa më parë të bëjnë një zgjidhje urgjente dhe jo të presin zgjidhje të përgjithshme për të gjithë qytetarët. Kërkohet zgjidhje e veçantë për policinë, për zjarrfikësit, për doganierët, për shërbimet e emergjencës dhe për gardianët. Për të gjitha këto shërbime që hyjnë në konceptin e shërbimeve me rrezik, duhet të gjendet një paketë e caktuar e sigurimit të jetës së tyre, sepse ata janë njerëz vazhdimisht me rrezik për jetën. Kërkohet një zgjidhje e shpejtë institucionale.
“Epoka e re”: Cilat janë masat urgjente që duhet të ndërmerren në këtë drejtim?
Selimi: Fatkeqësisht po duhet të vdesë dikush për t’u aktualizuar kjo temë. Prandaj, sa më parë në mënyrë institucionale duhet të gjendet mënyra për sigurimin e jetës së policëve. Urgjentisht duhet të gjendet një zgjidhje e veçantë për policët, ushtarët, doganierët, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente. Apeloj te Qeveria dhe e kam një lloj besimi, sidomos të kryeministrit, me qëndrimin e tij prej njeriu që merr vendime dhe rrezikon t’i ndërmarrë masat e nevojshme në këtë drejtim, sepse pa rrezikuar nuk mund të merren vendime të duhura. Qeveria duhet të marrë vendim sa më parë dhe ta gjejë mënyrën e sigurimit të jetës dhe shëndetit për këto kategori. Pra, nuk duhet pritur që këto kategori të jenë në një paketë me të gjithë qytetarët, meqë profesioni i ka veçuar. Prandaj, kërkoj që kjo çështje të zgjidhet urgjentisht.
“Epoka e re”: Besoni se kërkesa e juaj do të merret parasysh nga Qeveria dhe kryeministri Haradinaj?
Selimi: Shpresoj se çështja e sigurimit të jetës së policëve do të zgjidhet sa më parë. Edhe proceduralisht kjo çështje mund të kryhet tre deri në gjashtë muaj. Dua të besoj se kjo Qeveri do ta zgjidhë këtë problem.
“Epoka e re”: Përveç mungesës së sigurimit, ka zvarritje edhe për miratimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm të policisë.
Selimi: Këto zvarritje janë arsyetuar me reagimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Është e vërtetë se FMN-ja nuk lejon shpenzime, por nëse menaxhohet buxheti me mend dhe hiqet dorë nga shpenzimet e panevojshme, FMN-ja do të pajtohet. Pra, FMN-ja thotë se është në rregull nëse nuk kalohet buxheti prej dy miliardësh eurosh. Në përgjithësi në administratën publike të Kosovës ka mundësi të zvogëlohen shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve si dhe të zvogëlohet numri i agjencive të panevojshme, të dëmshme dhe të shtrenjta. Nëse paraja publike menaxhohet si duhet, do të ketë mjete për sigurimin shëndetësor dhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm të policisë. Kufizimi i parasë në mallra dhe shërbime dhe riorganizimi i administratës, duke i hequr nga buxheti shumicën e agjencive të panevojshme, siguron mjete financiare për sigurim të policëve, ushtarëve dhe zjarrfikësve.
“Epoka e re”: Një problem tjetër sipas Sindikatës së Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet edhe çështja e pagave, meqë ka kategori që bëjnë punë më të lehtë dhe paguhen më shumë se policët.
Selimi: Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë. Duhet gjetur mënyrën që policëve t’u rritën pagat. Sindikata e Policisë së Kosovës ka qenë shumë bashkëpunuese me të gjitha qeveritë e deritanishme. Unë ua përcjell një selam politikanëve që janë në pushtet, sepse edhe unë jam një farë politikani, por nuk jam në pushtet, që të mos e sprovojnë durimin e policisë. E njoh mirë këtë institucion dhe ata njerëz që janë shumë të devotshëm, të përkushtuar, ndoshta është pjesa më patriotike e vendit e cila vazhdon të shërbejë më shumë mbi bazën e idealit sesa mbi bazën materiale. Policinë nuk duhet sprovuar duke e detyruar të kalojë në sjellje sindikale që nuk i bëjnë mirë vendit. Është e nevojshme të gjendet një zgjidhje për sigurimin dhe pagat e policëve, sepse këto dy çështje janë vitale dhe emergjente. Kosovës i ka mbetur policia si një prej segmenteve më stabile, prandaj nuk është mirë që ky segment ta humbë durimin.
“Epoka e re”: Z. Selimi, a do të kandidoni për drejtor të përgjithshëm të policisë?
Selimi: Kam marrë vesh se ka një disponim të atyre që u kam shërbyer të cilët kanë kërkuar që unë të rikthehem, mirëpo rikthimin tim në polici nuk e kam menduar në asnjë rast. Kur kam dalë nga policia kam menduar se do të marrë përgjegjësi në Ministri të Punëve të Brendshme (MPB) në mënyrë që gjërat që nuk kam mundur t’i bëjë si drejtor, t’i bëjë në kuadër të ministrisë. Kam menduar që përmes krijimit të politikave më të mira të krijojmë një sistem stabil, por kjo nuk ndodhi. Vitin e kaluar isha 4-5 muaj zëvendësministër, por nga ajo pozitë nuk pata mundësi të bëjë asgjë. Kam menduar se profesionalisht politika do të më shfrytëzojë në fushën e sundimit të ligjit, në drejtësi dhe në polici. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Nëse ndodhë në të ardhmen dhe jam mirë me shëndet mund t’i dalë ballë asaj kërkese, por jo edhe kthimit në polici.
“Epoka e re”: Nuk ka gjasa të riktheheni në krye të policisë?
Selimi: Jo, nuk ka gjasa të rikthehem në polici. Unë e tregova adresën dhe rrugën se si mund ta ndihmojë policinë, por jo duke u kthyer në krye të saj. Atyre më së miri mund t’ju ndihmojë politika e qartë dhe njerëzit që e kuptojnë atë zanat. Këto nuk mund t’i bëjë drejtori i policisë, por Qeveria përkatësisht MPB-ja.
Shqipe HETEMI